Ministri iranian i Burimeve të Naftës, Bijan Namdar Zangeneh, ka mohuar pretendimet ndaj vendi të tij për shitjen e naftës përmes Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për mediat pas takimit të kabinetit të ministrave, Zangeneh tha se pretendimet ndaj vendit të tij lidhur me shitjen e naftës përmes Rusisë nuk pasqyrojnë të vërtetën.
Ai deklaroi se në Bursën e Energjisë të Teheranit, aktualisht deri më tani janë shitur 280 mijë fuçi naftë.
Disa burime kishin pretenduar se Rusia kishte kryer një marrëveshje të fshehtë me Iranin për të shkelur sanksionet e SHBA-ve. Është pretenduar se sipas marrëveshjes, Irani do të transferojë naftën e tij në rafineritë ruse të naftës në Detin Kaspik, dhe më pas nafta iraniane do të shitej në tregun ndërkombëtar si nafta e Rusisë.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 8 maj njoftoi tërheqjen nga marrëveshja bërthamore dhe më 7 gusht vendosi në zbatim zyrtarisht paketën e sanksioneve që pengojnë aksesin e Iranit ndaj dollarit amerikan, shitjen obligacioneve qeveritare, tregtimin e arit dhe mineraleve të tjera të çmuara apo të tilla si çeliku, alumini, qymyri dhe ndalimin e importimit të avionëve të udhëtarëve apo pjesëve të tyre.
Paketa e dytë e sanksioneve të SHBA-ve kundër Iranit do të fillojë më 5 nëntor pas plotësimit të afatit prej 180 ditësh. Që nga kjo datë do të imponohen kufizime ndërkombëtare ndaj kompanive kombëtare të naftës iraniane, kompanisë tregtare Iran Petroleum dhe National Tanker Company, ndërkohë që do të zbatohen sanksione ndaj shitjes së naftës dhe produkteve të saj, ku dhe ekonomia e Iranit është e bazuar në masë të madhe.