Zbulohen burime të reja nafte në Norvegji

Vlerësimet e para flasin për një zbulim në të cilin ndodhen mes 50 dhe 60 milionë fuçi naftë, ndërsa mbetet të shihen nëse ka potencial më të madh

Kompania ndërkombëtare italiane për naftë dhe gaz, Eni, bëri të ditur për zbulimin e një burimi të ri të naftës në det të hapur të Norvegjisë, transmeton Anadoilu Agency (AA).

Kompania njoftoi se burimet e reja të naftës ndodhen rreth 230 kilometra larg nga qyteti Hammerfest, për të shtuar se zbulimi është bërë përmes eksplorimit të pusit Skruis, i cili ndodhet në thellësi prej 409 metrash nën det.

“Pusi ishte planifikuar të testoj potencialin e hidrokarbureve të ‘Sekuencës së Mesme Jurassic’, me ç‘rast hasi në një kolonë 34 metërshe të naftës, në një rezervuar me përmbajte të shkëlqyer”, tha kompania.

Sipas saj, vlerësimet e para flasin për një zbulim në të cilin ndodhen mes 50 dhe 60 milionë fuçi naftë, ndërsa mbetet të shihen nëse ka potencial më të madh.

Prodhimi aktual i kompanisë Eni në Norvegji është rreth 150.000 fuçi naftë në ditë.