Shtetet e varura nga hidrokarburet duhet të diversifikojnë burimet e të ardhurave

Prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe të gazit, po përballen me presionin për ndryshime thelbësore, të cilat nuk do t’i bënin të varur shumë nga të hyrat nga burimet energjetike, thuhet në një raport të publikuar të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

I publikuar të enjten, raporti thotë se “revolucioni i shistit argjilor në ShBA, risitë teknologjike, nevoja për efikasitet energjetik dhe përgjigja afatgjate për ndryshimet klimatike, ushtrojnë presion mbi modelet, të cilat varen shumë nga të ardhurat nga hidrokarboni”.

Si një kundërpërgjigje ndaj këtyre ndryshimeve, thuhet më tej në raport, shumë prodhues të mëdhenj po shfaqin angazhimin e tyre të për të diversifikuar ekonominë e tyre.

“Mënyra se si këta prodhues do të reagojnë ndaj një politike dhe ambientit të tregut, do të përcaktojë jo vetëm perspektivat e tyre të ardhshme, por edhe tregjet globale të energjisë, sigurinë e energjisë dhe arritjen e qëllimeve të zhvillimit global të qëndrueshëm”, thuhet në raportin e IEA-së.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë nënvizon rëndësinë e një programi reformues ekonomik dhe social të gjashtë prodhuesve më të mëdhenj: Iraku, Nigeria, Rusia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Venezuela.

“Eksportet e naftës dhe gazit përbëjnë një të tretën e totalit të eksporteve dhe të hyrave nga nafta dhe gazi natyror në këto ekonomi, të cilat kontribuojnë me një të tretën e të hyrave fiskale në shtetet respektive”, nënvizon raporti.

Sipas raportit, të hyrat neto nga nafta dhe gazi do të rriten, sidomos në mesin e viteve 2020, atëherë kur prodhimi në ShBA do të arrijë kulmin.

Megjithatë, domosdoshmëria për reforma mbetet e fortë, sidomos nga fakti se do të nevojiten vende të reja pune në vendet me popullatë të re, Iraku, Nigeria dhe Arabia Saudite.

Deri në vitin 2040, kërkesa për naftë do të rritet me mbi 10 për qind, duke kapur shifrat prej mbi 106 milionë fuçi në ditë, ndërkohë që kërkesa për gazin natyror do të rritet me mbi 40 për qind, më saktësisht në 5.400 miliardë metra kub.

Raporti i IEA-së thotë se e kaluara e afërt flet se rritja e çmimeve do të rrisë kostot e prodhimit në pjesët tjera të botës, gjë e cila do të shkaktojë rënie përsëri të çmimit. (Anadolu Agency-AA)