Gjysmëhëna e Kuqe Turke shpërndau pako me ushqim dhe materiale higjienike për të prekurit nga tërmeti dhe cunami që goditën Indonezinë.
Sipas komunikatës së bërë nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke thuhet se kjo organizatë humanitare është vënë në veprim për ti fashitur plagët e të prekurve nga tërmeti dhe cunami që goditën Indonezinë më 28 shtator.
Në kuadër të punimeve për ndihmë që po zhvillohen në qendrat e përkohshme të strehimit të ngritur me çadra të dërguara nga Turqia, të prekurve nga këto fatkeqësitë u janë shpërndarë pako me ushqime dhe materiale higjienike.
Në punimet e shpërndarjes së ndihmave për të prekurit nga kjo fatkeqësi, të cilët po mundohen të mbijetojnë në çadrat e ngritura në rajonin Balareo të Palus, që ishte edhe epiqendra e tërmetit, mori pjesë edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Naci Yorulmaz.
Në prononcimin e tij Yorulmaz tha se “Ka filluar shpërndarja e ndihmave humanitare, nga të cilat do të përfitojnë afërsisht 40 mijë persona. Ndërkaq në anën tjetër po vazhdojnë punimet për ngritjen e çadrave. Me përfundimin e ngritjes së çadrave dhe vendosjes së të prekurve nga tërmeti fillon edhe shpërndarja e ndihmave. Qëllimi ynë është që ti lehtësojmë sadopak dhimbjet e këtyre njerëzve dhe të mundësojmë kthimin e shpejtë të tyre në jetë normale”.
Ndërkohë zëdhënësi i Administratës Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive të Indonezisë, Sutopo Purwo Nugroho bëri të ditur se numri i viktimave që humbën jetën nga tërmeti dhe cunami që goditën ishullin Sulawesi arriti në 2 mijë e 256 vetë.
Duke vënë në dukje se deri më sot nga rajoni janë zhvendosur 223 mijë e 751 persona, Nugroho tha se sipas deklaratave të bëra nga familjet numri i të zhdukurve është 1 mijë e 309.
Në anën tjetër edhe pse për rajonet ku u jetuan shkatërrime të mëdha nuk është dhënë numri i saktë i viktimave supozohet se nën rrënoja ende ndodhen me mijëra kufoma të tjera./TRT