Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, sot pati takim me Zv/ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Matthew Palmer, i cili po qëndron në vizitë pune në Maqedoni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim është biseduar për perspektivat euroatlantike të vendit, si dhe për situatat politike në Republikën e Maqedonisë dhe në rajon, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ministri Dimitrov falënderoi për mbështetjen amerikane për integrimet euroatlantike të Maqedonisë. Ai theksoi se qytetarët e Maqedonisë të ardhmen e vendit të tyre e shohin në familjen euroatlantike dhe shprehu besimin se bashkarisht do ta hapim rrugën drejt një vendi të merituar në NATO dhe BE.
Në kumtesën e MPJ-së thuhet se Dimitrov dhe Palmer biseduan për aspektet aktuale të procesit të pranimit të Republikës së Maqedonisë në NATO, si dhe progresin e fundit në procedurën për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, me qëllim implementimin e suksesshëm të Marrëveshjes me Greqinë dhe anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë si anëtarja e saj e 30-të.