“Nevojitet guxim dhe vizion nga të gjithë për hyrjen e Ballkanit në BE”

Në Forumin e 8-të të sigurisë në Beograd, presidenti i Serbisë Vuçiç theksoi nevojën e një roli më të madh të BE-së në Ballkanin Perendimor

 Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet shumë më tëpër të punojnë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe për t’u bërë pjesë e Unionit nevojitet guxim dhe vizion nga këto vende, por edhe nga BE-ja, tha presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen në Beograd, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç theksoi nevojën për një rol më të fuqishëm të BE-së në rajon, por edhe se rajoni duhet të ofrojë diçka të qëndrueshme për të ardhmen.

Në panelin “Ballkani Perëndimor dhe BE-ja”, në kuadër të Forumit të 8-të të Sigurisë në Beograd, presidenti austriak tha se nevojitet guxim dhe vizion i të gjitha palëve ashtu që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së – si kandidat për anëtarësim, dhe të gjithë anëtarët e Unionit.

Ai deklaroi se nuk ka ardhur që të mbajë leksione, përkundrazi, është i vetëdijshëm për të gjitha problemet e vetë Unionit si dhe faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kaluar nëpër ndryshime të rëndësishme ekonomike dhe politike, por ideja që kombet më mirë të mbeten të vetme është e gabuar.

“Serbia është një lojtar kyç për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, por edhe rrugës së rajonit drejt BE-së. Është e qartë, megjithatë, se edhe para anëtarësimit në BE, disa gjëra themelore që duhet të mbillen në shoqëri. Problemet dypalëshe, çështjet kufitare si dhe problemet e brendshme dhe barrierat në tregti, të gjitha këto duhet të përmbushen dhe zgjidhen para se të hyni. Vendet që hyjnë në Union duhet bërë shumë, por shpresoj se BE-ja do të vazhdojë të mbetet e pranishme këtu si vizion”, tha ai.

Siç shpjegoi ai, Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen duke përngjasuar me BE-në edhe para anëtarësimit.

Duke folur për Serbinë dhe Kosovën, ai tha se mbetet optimist, sepse krerët e vendeve janë të angazhuar për dialog, por jo mbajtjen e konfliktit të ngrirë, për çka duhet guxim, por ky guxim nuk është vetëm për politikanët dhe krerët e shtetit, por edhe për qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri.

“Mbetem optimist, liderët në Serbi marrin masa të caktuara dhe kanë kuptuar se pa një vizion dhe dialog nuk ka të ardhme”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka thënë se mbajtja e Forumit konfirmon nevojën e garantimit të sigurisë dhe ruajtjes së paqes në rajon si dhe sigurinë dhe paqen në pjesën tjetër të botës.

“Pas referendumit të pasuksesshëm në Maqedoni, zgjedhjet në Bosnjë e Hercegovinë, marr guximin të them se na duhet të kemi një rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, përndryshe BE-ja nuk do të jetë ai lloj i ëndrrës dhe nyje e demokracisë, lirisë dhe çdo gjë tjetër të cilën e synojmë”, tha ai.

Ai vuri në dukje nevojën për të ofruar diçka të qëndrueshme për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor.

“Ne duhet të bëjmë diçka të madhe në Ballkanin Perëndimor dhe duhet të ofrojmë diçka të qëndrueshme për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm Bosnja, jo vetëm Maqedoninë, por në qoftë se nënvlerësojmë fuqinë e popullit dhe zhgënjimin e tyre, unë kam frikë se ne nuk do të jemi në gjendje që të ruajmë sigurinë dhe paqen në 20 vitet e ardhshme”, tha ai.

Sipas tij, Serbia do të bëjë gjithçka që mundet dhe që është në fuqinë e saj për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë në rajon.

“Serbia do të mbetet e vendosur në rrugën drejt BE-së dhe ajo që kam folur rreth BE-së është ajo që unë shoh brenda vendeve, se edhe kur shkoj në Bruksel, se më parë kur shkoja të gjitha vendet kishin mirëkuptim mes vete, kurse tani Italia nuk dëgjon Francën dhe ka edhe shembuj të tjerë”, tha Vuçiç.

I pyetur për qëndrimin e SHBA-ve ndaj Ballkanit Perëndimor, Vuçiç u përgjigj se marrëdhëniet SHBA-Serbi janë të mira, por se qëndrimet janë të kundërta kur është në pyetje Kosova dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës, por se zyrtarët “të paktën tani duan të dëgjojnë se çka pala serbe ka për të thënë”.

“Nuk kam pritshmëri të mëdha, por kam shpresë”, tha ai, duke shtuar se rritja ekonomike por edhe gjetja e një zgjidhjeje për çështjet e hapura nuk është e mundur pa SHBA-të dhe Rusinë.

Presidenti i Austrisë po qëndron në një vizitë dy-ditore në Serbi, gjatë së cilës ai u takua me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç.