Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij pret mbështetjen e Moldavisë në luftën kundër organizatës terroriste FETO “pa hezitim”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Pritshmëria e popullit turk nga miqtë moldavë në luftën tonë të përbashkët kundër FETO-s është që ata të tregojnë mbështetjen e nevojshme pa hezitim. Ju ftoj për të vepruar në një mënyrë të përshtatshme me miqësinë Turqi-Moldavi”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët me homologun e tij moldav Igor Dodon në kryeqytetin Kishinau.
Erdoğan tha se FETO është organizatë terroriste që është infiltruar në forcat e armatosura, në policinë, në gjyqësor dhe të gjitha nivelet e shtetit turk.
“Kjo organizatë terroriste, aktualisht mund të ndërmarrë të njëjtat hapa edhe në Moldavi për t’u infiltruar në nivelet shtetërore”, shtoi presidenti turk.
FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan tentativën për grusht shteti më 15 korrik 2016 në Turqi, si pasojë e të cilës 251 persona ranë dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.
Erdogan gjithashtu tha se njëra ose të dy bankat publike turke, Halk Bank dhe Ziraat Bank, do të hapin degë në Moldavi së shpejti, pas inspektimeve që këto banka do t’i kryejnë në këtë vend.
Ndërkaq, presidenti moldav, nga ana e tij, ka theksuar se Turqia ka kontribuar që Moldavia të jetë stabile dhe e fuqishme.