Erdoğan: Turqia mund të ndërmarrë masa të nevojshme në lindje të Eufratit

Presidenti Erdoğan sinjalizoi një operacion të mundshëm ushtarak kundër organizatës terroriste YPG/PKK në lindje të Eufratit

Pas dy operacioneve të mëdha antiterroriste në Siri, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan paralajmëroi se Turqia mund gjithashtu të marrë hapa vendimtarë kundër pranisë terroriste të PKK/YPG-së edhe në lindje të lumit Eufrat, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nëse hapa të nevojshëm nuk ndërmeren (nga SHBA) në lindje të Eufratit, ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm në nivelin më të lartë”, tha Erdoğan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij.

Presidenti turk theksoi se vendi i tij do të marrë masa jo vetëm për paqen saj, por edhe për njerëzit që jetojnë në rajon.

“Deri më tani, Turqia ka ndërmarrë hapa të vendosur dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, theksoi ai, duke iu referuar operacioneve ndërkufitare të Turqisë në Siri që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” kundër organizatave terroriste si PKK/PYD.

Erdoğan foli edhe në lidhje me zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, duke porositur se “dëshiron që sa më parë të arrihet rezultati në hetimin në bazë të të cilit do të mund të miratohet një konstatim i caktuar”.

“Nuk na duhen burokratë që frikësohen për pozitat”

Më tej, presidenti i Turqisë tha se vendit të tij nuk i nevojiten burokratë që frikësohen për pozitat e tyre, por ata që përpiqen dhe angazhohen për të përmbushur obligimet dhe përgjegjësitë e tyre,

“Neve na nevojiten burokratë të cilët nuk brengosen për pozitat e tyre, por ata që janë produktiv, përpiqen dhe angazhohen për të përmbushur obligimet dhe përgjegjësitë e tyre. Kushdo qoftë që ka kaluar në gjendje pasiviteti në mënyrë që të mos humbasë pozitën e tij, ai le ta dijë se më nuk është pjesë e ekipit tonë. Në rast se pranojmë ankesa të tilla, ata nuk do t’i falim”, tha Erdoğan.