BE miraton sistem të ri sanksionesh kundër armëve kimike

Në njoftimin e BE-së thuhet se kjo masë është ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me armë kimike që janë në rritje në mbarë botën

Bashkimi Evropian (BE) miratoi një sistem të ri sanksionesh i cili synon kompanitë dhe njerëzit që zhvillojnë armët kimike dhe kontribuojnë në përdorimin e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendimi për sistemin e ri të sanksioneve kundër përhapjes së armëve kimike, u mor në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së i cili u mbajt në Luksemburg.

Në njoftimin e BE-së thuhet se kjo masë është ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me armë kimike që janë në rritje në mbarë botën.

Sistemi në fjalë parasheh që BE të zbatojë sanksione ndaj personave dhe kompanive që kontribuojnë në prodhimin e armëve kimike ose vënë në përdorim të njëjtat, pavarësisht lokacionit apo kombësisë.

Sanksionet përfshijnë kufizime të lëvizjes, ngrirjen e pronës për personat juridikë dhe fizikë, si dhe ndalimin e financimit të personave të cilët do të gjenden në listat e BE-së.