Produktet e industrisë turke të mbrojtjes u ekspozuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Roketsan” dhe “Repkon”, dy prej kompanive më në zë të industrisë ushtarake turke, morën pjesë në Takimin dhe Panairin Vjetor – AUSA 2018, organizuar nga Shoqata e Ushtrisë Amerikane (AUSA).
Organizuar në Uashington, AUSA 2018 mundësoi takimin e shumë profesionistëve dhe kompanive që ushtrojnë aktivitet në industrinë e mbrojtjes.
Kompania “Roketsan”, e cila spikati me një portofol të fuqishëm produktesh, ekspozoi modelet e prodhimeve më të sofistikuara të saj, ku ia vlen të përmenden raketa e drejtuar me laser “Cirit”, minimunicionet inteligjente “MAM-L” dhe “MAM-C”, raketa “SOM-J” e integrueshme në avionët F-35, si dhe raketa kundërtank me rreze të mesme veprimi “OMTAS”.
Stenda e “Roketsan” u vizitua nga përfaqësues dhe delegacione të shumë vendeve dhe kompanive ndërkombëtare, të cilët morën informacione të detajuara rreth produkteve dhe teknologjisë së firmës turke.
Ndërsa kompania “Repkon” zhvilloi bisedime në lidhje me trupin e raketave dhe tytave të armëve të gjata në kuadër të makinerive “flowforming” dhe metodave të prodhimit, të cilat janë brenda mundësive të vetëm disa kompanive në mbarë botën.
Stenda e kompanisë turke në fjalë paraqiti shembuj të prodhuar me këtë teknologji./TRt