Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se do t’i ndajnë me të gjithë botën faktet që do të dalin pas hetimeve për rastin e humbjes së gazetarit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).
“Për arsyen se kjo ngjarje ka ndodhur në konsullatën e Arabisë Saudite ne dëshirojmë të jemi në bashkëpunim të ngushtë me Arabinë Saudite në lidhje me rastin Khashoggi. Po ashtu edhe ata duhet të bashkëpunojnë me ne”, është shprehur ministri Çavuşoğlu, gjatë konferencës për shtyp pas takimit me presidentin e Irakut, Berhem Salih, ku ndodhet për një vizitë zyrtare.
Në lidhje me ngjarjen e zhdukjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, Çavuşoğlu ka bërë të ditur se institucioni i prokurorisë ka nisur një hetim intensiv dhe gjithëpërfshirës në të cilin janë duke bashkëpunuar të gjitha institucionet e tjera, si shërbimet inteligjente dhe njësitë e policisë.
– “Do të rihapim sërish konsullatat tona në Basra dhe Mosul”
Pasi ka vënë në dukje se në bisedime kanë diskutuar çështjet për rindërtimin e Irakut, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe investimet, kryediplomati turk theksoi se janë dakorduar për nevojën për të vazhduar bashkë luftën kundër terrorizmit.
“Turqia, në kuadër të ligjit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit do të vazhdojë të eliminojë terroristët kudo që ato të ndodhen. Kjo luftë nuk është sulm dhe shkelje ndaj sovranitetit territorial të Irakut. Kjo është një e drejtë që lind nga ligji ndërkombëtar. Këtë vizitë e kemi kryer për të theksuar edhe njëherë mbështetjen tonë ndaj Irakut. Do të rihapim sërish konsullatat tona në Basra dhe Mosul, të cilat më parë u detyruam t’i mbyllnim për arsye sigurie”, tha Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu ka rikujtuar se Turqia ka premtuar 5 miliardë dollarë në konferencën e Kuvajtit për rindërtimin e Irakut dhe se ata i qëndrojnë këtij premtimi. Shefi i diplomacisë turke po ashtu ka nënvizuar se Iraku dhe Turqia nuk janë vetëm dy vende fqinje, por në të njëjtën kohë ata janë dy vende vëllazërore dhe se për këtë arsye duhet të jenë në solidarizim dhe bashkëpunim.