“Shqipëria është dhe do të mbetet një faktor i rëndësishëm në Ballkan”

Në Tiranë është mbajtur forumi me temë “Rruga e Paqes së Ballkanit 2018”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Shqipëria dhe vendet e rajonit

Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë është mbajtur forumi me temë “Rruga e Paqes së Ballkanit 2018”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Shqipëria dhe vendet e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin që u zhvillua në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ishin të pranishëm zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, deputetë dhe ish-deputetë nga Parlamenti i Shqipërisë dhe parlamentet e rajonit, të cilët u fokusuan në zhvillimet në rajon dhe rolin e parlamentarëve në proceset e paqes.

Në fjalën e saj në forum, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, tha se Shqipëria është dhe do të mbetet një faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit.

“Siguria dhe paqja në Ballkan, Evropë dhe në nivel global është sfida më e madhe për të gjithë në çdo vend. Kjo sfidë kërkon kontributin e secilit prej nesh, çdo individi, pavarësisht moshës, pozitës sociale, angazhimit në shoqëri, vendit ku banon në Ballkan apo jashtë tij. Shqipëria është dhe do të mbetet një faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit që kontribuon në ruajtjen e stabiliteti politik, ekonomik, social, kulturor të rajonit dhe më gjerë”, tha Hysi.

Sipas Hysit, siguria dhe zhvillimi në rajon nënkupton, jo vetëm fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, por edhe një zhvillim shumë të mirë ekonomik, demokraci funksionale, respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut, qeverisje të mirë dhe angazhim të përbashkët për të ndryshuar imazhin e rajonit.

“Ne si parlamentarë luajmë dhe do të luajmë një rol të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon. Në ushtrim të funksioneve tona, parlamentarët shqiptarë do të kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Promovimi i demokracisë dhe i qeverisjes së mirë merr një rëndësi të veçantë në kuadër të paqes dhe zhvillimit në nivel kombëtar dhe në rajonin e Ballkanit”, u shpreh Hysi.

Në përfundim të fjalës së saj, Hysi tha se ky rrugëtim të shërbejë për të forcuar bashkëpunimin dhe si një angazhim për të përmbushur të gjitha objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm që kanë vendet e Ballkanit.