“Bashkëpunim partiak për të adresuar sfidat e migracionit”

Spasovski tha se edhe pse numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë në vendet e rajonit drejt BE-së është më i vogël, kërcënimi ende ekziston

Shkëmbimi i të dhënave të migrimit është e rëndësishme për adresimin e të gjitha sfidave të migracionit, u tha sot në seminarin e organizuar nga “Procesi i Pragës – Observatori i Migracionit”, që u mbajt për herë të parë në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seminarin e titulluar “Mbledhja, analiza dhe shkëmbimi i të dhënave të migracionit”, u adresua ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski, i cili në hapjen e këtij seminari tha se në vitet e fundit rajoni ballafohet me një sfidë serioze, siç theksoi ai, së pari në aspektin e sigurisë pastaj edhe në atë social dhe ekonomik.

“Gjatë vitit 2015 dhe 2016 kaluam një periudhë të vështirë që në inspektim vendosi të gjitha kapacitet tona për adresimin me sfidat globale të këtij lloji, më pas duke u ballafaquar edhe me disa dobësi, të cilat si shtete duhet t’i eleminojmë”, tha Spasovski.

Ai shtoi se edhe pse numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë në vendet e rajonit drejt BE-së është më i vogël, kërcënimi ende ekziston.

Ndërkaq, sipas ambasadorit çek në Shkup, Miroslav Toman, kriza e kaluar tregoi se shkëmbimi i të dhënave të migracionit është me rëndësi kyçe.

“Ky seminar mbulon të gjithë ata që punojnë në këtë fushë, nga BE-ja, Azia dhe të gjithë miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor. Këtu jemi që të krijojmë bashkëpunim praktik. Republika Çeke në vitin 2009 pati mundësinë të kryesojë me Procesin e Pragës dhe tregoi interes të madh në dialog të qëndrueshëm që do të sjellë rezultate konkrete”, theksoi Toman.

Kreu i Departamentit të Çështjeve Politike në Delegacionin e BE-së në Shkup, Lukas Holub, nga ana e tij, tha se së seminar ka përkujtuar se Maqedonia në të kaluarën u përball me shumë sfida në aspektin e migrimit.

“Procesi i Pragës bashkon të gjithë Evropën në një përpjekje për të adresuar migracionin, veçanërisht në kohën kur migracioni mbetet sfidë serioze ndërkombëtare”, tha Holub.

Kujtojmë se Procesi i Pragës u themelua në vitin 2009 gjatë presidencës çeke me BE-në dhe në të ka 50 shtete të anëtarësuara.