SHBA miraton shitjen e pajisjeve ushtarake Tajvanit

SHBA-të do t'i shesin Tajvanit pjesë rezervë për avionët luftarak F-16 në vlerë 330 milionë dollarë

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë miratuar shitjen e pajisjeve ushtarake Tajvanit me vlerë 330 milionë dollarë, e cila mund të shkaktojë një reagim ashpër të Kinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e Pentagonit konfirmuan se bëhet fjalë për shitjen e pjesëve rezervë për avionët luftarak F-16.

Njoftimi thotë se kontingjenti i ri i pajisjeve ushtarake do të forcojë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit dhe nuk do të rrezikojë balancën e forcave ushtarake në Azi.

Në fillim të gushtit, Senati i SHBA-së miratoi një dokument që parashikon intensifikimin e bashkëpunimit SHBA-Tajvan në sektorët ushtarakë dhe civilë, si shpeshtimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake në rajon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin zyrtarisht Republikën Popullore të Kinës si bartësin e vetëm të sovranitetit në territorin e saj, duke përfshirë dhe Tajvanin, por gjithashtu mban marrëdhënie joformale me autoritetet e Tajvanit. Autoritetet e Tajvanit nga SHBA blejnë armë dhe pajisje ushtarake çdo vit.