Alexey Kudrin: Lufta tregtare SHBA-Kinë mund të minojë sistemin e OBT-së

Ish ministri rus i Financave, Kudrin tha se veprimet e presidentit amerikan Trump minojnë sistemin e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe krijojnë pasiguri dhe mosbesim ndaj investitorëve

Alexey Kudrin, kreu i Dhomës së Llogarive Ruse, mbikëqyrësit të shpenzimeve të qeverisë, ka deklaruar se ekonomia e SHBA-ve do të humbasë për shkak të veprimeve të saj kundër Kinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ish-ministri rus i Financave, në llogarinë e tij në Twitter shkroi se “Megjithëse lufta tregtare midis Kinës dhe SHBA-ve nuk do të godasë rëndë ekonominë kineze dhe vëllimin e tregtisë botërore, veprimet e presidentit amerikan, Donald Trump, minojnë sistemin e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe krijojnë pasiguri dhe mosbesim ndaj investitorëve”.

Kudrin parashikoi se në horizont të 10-15 viteve kjo do të shkaktojë rënien e ekonomisë amerikane. Ekonomisti tha se nuk ishte korrekte të krahasohen tarifat e SHBA-ve kundër Kinës me sanksionet e SHBA-ve kundër Rusisë.

“Masat e tregtisë kundër Kinës janë lehtësisht të kthyeshme, mjafton që presidenti Trump të anulojë disa dekrete. Dhe, sanksionet kundër Rusisë janë inicuar nga Kongresi që do të jetë shumë e vështirë t’i heqësh ato”, tha Kudrin.

Të hënën Washingtoni tha se duke filluar nga java e ardhshme do të fillojë vendosjen e tarifave prej 10 për qind për produktet kineze me vlerë prej 200 miliardë dollarë, duke shtuar se normat e tarifave do të rriten me 25 për qind më 1 janar.

Pekini u hakmorr shpejtë duke njoftuar se do të zbatojë tarifat 5-10 për qind në 6 miliardë dollarë produkte amerikane, që po ashtu do të hyjnë në fuqi javën e ardhshme.

Kina tha se ka paraqitur një ankesë në OBT kundër SHBA-ve dhe të premten do të kërkojë leje nga organizata për të imponuar sanksione shtesë kundër SHBA-ve.