Këshilli i Aeroporteve Ndërkombëtare (ACI) ka bërë të ditur se trafiku ajror i pasagjerëve në Evropë ka shënuar një rritje vjetore prej 4,8 për qind në muajin korrik, por disa aeroporte turke shënuan rreth 18,3 për qind rritje të trafikut, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Përderisa kjo mbetet një performancë solide, muaji shënoi një ngadalësim të rritjes në aeroportet e Evropës krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit (+ 6,7 për qind), që preku kryesisht tregun jashtë BE-së”, tha ACI përmes një deklarate.
Asociacioni tregtar i aeroporteve evropiane tha se trafiku i pasagjerëve në muajin korrik u rrit 6,8 për qind në aeroportet jo të BE-së, duke shënuar një rritje prej 10,5 për qind në gjysmën e parë të këtij viti.
“Kjo reflektoi rritje më të ulët në aeroportet turke, ruse dhe islandeze”, tha ACI, duke theksuar se, “Ndërkohë, aeroportet në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Gjeorgji dhe Ukrainë vazhduan të shënonin rritje me dy shifra”.
ACI tha se ngadalësimi i rritjes ishte më pak i shënuar në aeroportet e BE-së, ku vëllimet e pasagjerëve u rritën me 4,3 për qind në korrik krahasuar me 5,4 për qind në janar-qershor.
Duke vënë në dukje pesë aeroportet më të mira evropiane, ACI deklaroi se rritja e trafikut të pasagjerëve u ngadalësua në korrik, duke arritur 3,5 për qind krahasuar me një rritje vjetore prej 6,3 për qind në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
“Kjo ka reflektuar zvarritjen e trafikut në Amsterdam-Schipol (0,5 për qind) për shkak të kufizimeve të kapaciteteve, si dhe rritjes më të ulët në Stamboll-Ataturk (1,5 për qind më shumë)”, tha ACI.
Frankfurt, me një rritje prej 7,5 për qind në krahasim me vitin e kaluar, tregoi performancën më të lartë në mesin e majorave, pasuar nga Paris-CDG dhe London-Heathrow me 4,2 për qind dhe 3,7 për qind.
ACI gjithashtu tha se dy aeroporte turke ishin ndër ato që panë rritjet më të larta në korrik, në grupin e aeroporteve që mirëpritën më shumë se 25 milionë pasagjerë në vit.
ACI bëri të ditur se raporti i trafikut të pasagjerëve në korrik mbulon 243 aeroporte, që përfaqësojnë mbi 88 për qind të trafikut ajror evropian.