SHBA – Ndërhyrja ruse në presidenciale, 14 burg për ish-këshilltarin elektoral të Trumpit

George Papadopoulos, ish-këshilltar i fushatës elektorale të Presidentit amerikan, Donald Trump, u dënua të premten me 14 ditë heqje lirie pasi u shpall fajtor për mashtrim të hetuesve federalë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-s...

George Papadopoulos, ish-këshilltar i fushatës elektorale të Presidentit amerikan, Donald Trump, u dënua të premten me 14 ditë heqje lirie pasi u shpall fajtor për mashtrim të hetuesve federalë në lidhje me çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA.

Përveç kësaj, Papadopoulosi u urdhërua nga një gjykatë e Uashingtonit që të paguajë një gjobë prej 9.500 dollarësh dhe të bëjë 200 orë shërbim social. Atij gjithashtu do t’i duhet të paraqitet në polici për 12 muajt e ardhshëm.

Ai është i pari ndihmës i fushatës elektorale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në vitin 2016, i cili dënohet me akuzat e ngritura nga prokurori special, Robert Mueller.

Papadopoulosi u deklarua fajtor në tetor të vitit të kaluar, pasi u vërtetua se kishte gënjyer agjentët e FBI-së. Muelleri kishte kërkuar 6 muaj burg për të. Sipas memorandumit të Muellerit për gjyqtarin, Papadopoulosi ka gënjyer për kontaktet e tij me njerëz që pretendonin se kishin lidhje me zyrtarët e lartë rusë duke përfshirë edhe takimin e tij me një profesor.

“Krimi i të pandehurit ishte serioz dhe shkaktoi dëme në hetimin e qeverisë për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016”, thuhej në memorandumin e dorëzuar nga prokurori special i çështjes.

“I pandehuri gënjeu për të fshehur kontaktet e tij me rusët dhe ndërmjetësit rusë gjatë fushatës dhe bëri deklarata të rreme ndaj hetuesve më 27 janar 2017, në fillim të hetimit, kur vendimet kryesore hetimore ishin duke u marrë”, tha Mueller.

Ish-këshilltari i fushatës elektorale të Trumpit i tha gjykatës të premten se ishte “thellësisht i zënë ngushtë dhe i turpëruar” për gënjeshtrën ndaj hetuesve.

Gjatë shqiptimit së aktgjykimit, avokati Thomas Breen i Papadopoulosit, raportohet të ketë insistuar se “Presidenti i SHBA-së e ka penguar këtë hetim më shumë sesa George Papadopoulosi ndonjëherë”.

Trump u përpoq të hënën e kësaj jave që të distancohet nga ish-këshilltari i tij duke u thënë gazetarëve të pranishëm në avionin “Ai Force One” se nuk e njihte Papadopoulosin.

“E kam parë atë në një fotografi, të ulur në një tryezë me mua. Kjo është e vetmja gjë që unë di për të”, ishte shprehur Presidenti Trump duke shtuar se “ata (hetuesit) e kapën atë (Papadopoulosin), siç duket, nga disa gënjeshtra”./TRT