Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka paralajmëruar qytetarët turq, të cilët kanë në plan të udhëtojnë në provincën Basra të Irakut, që të shmangin zonat e protestave.
Përmes një komunikate me shkrim, MPJ turke thekson se po ndjek me shqetësim demonstratat në Basra kundër kushteve të këqija të jetesës, protesta këto që ditëve të fundit kanë marrë përmasa të dhunshme.
“Shteti ynë, i cili s’ka ngurruar kurrë që të mbështesë qeverinë dhe popullin mik e vëlla të Irakut për të kapërcyer sprovat me të cilat po ballafaqohet, është i gatshëm të ofrojë kontribut të çdollojshëm për të rivendosur sa më parë të jetë e mundur qetësinë dhe mirëqenien e merituar në provincën e Basrës”, tha ajo.
“Për sigurinë e tyre, qytetarëve tanë që ndodhen në Basra ose kanë në plan të udhëtojnë në këtë provincë, u këshillohet të rrinë larg zonave të protestave dhe të ndjekin paralajmërimet e njoftimet që mund të bëhen nga Ministria apo Ambasada jonë në Bagdad”, nënvizohet mes të tjerash në komunikatën e MPJ turke, e cila gjithashtu u kërkon qytetarëve turq që të kontaktojnë me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Bagdad dhe Qendrën e Thirrjeve të Shërbimeve Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme./TRT