Koreja e Veriut thirrje SHBA-ve të “mos minojnë afrimin me Korenë e Jugut”

"Zhvillimi i lidhjeve mes Koreve nuk është kundër SHBA-ve. Nëse SHBA përpiqet të pengojë aleancën e bashkëpunimit Veri-Jug, ajo nuk do të ketë bërë asgjë tjetër përveçse t’i hapë vetes probleme"

 Koreja e Veriut i ka bërë thirrje SHBA-ve që të distancohet nga hapat që minojnë afrimin diplomatik të zhvilluar kohët e fundit me Korenë e Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim të publikuar në gazetën “Rodong Sinmun” që është organi publikues i Partisë Komuniste në pushtet në Korenë e Veriut, theksohet se qeveria e Washingtonit nuk duhet të pengojë bashkëpunimin mes Koreve duke gjetur si arsye çështjet që i vëren si mangësi.

“Zhvillimi i lidhjeve mes Koreve nuk është kundër SHBA-ve. Nëse SHBA përpiqet të pengojë aleancën e bashkëpunimit Veri-Jug, ajo nuk do të ketë bërë asgjë tjetër përveçse t’i hapë vetes probleme”, thuhet në shkrimin e gazetës.

Paralajmërimi i qeverisë së Phenianit ka ardhur një ditë para se Koreja e Jugut të dërgojë përfaqësues në Korenë e Veriut për të caktuar datën e saktë për zhvillimin e një samiti të liderëve këtë muaj.

Presidenti amerikan, Donald Trump, anuloi vizitën e sekretarit amerikan, Mike Pompeo, që do të zhvillonte javën e kaluar në Korenë e Veriut. Qeveria e Washingtonit kundërshton hedhjen e hapave për sigurimin e paqes së përhershme mes Koreve dhe për heqjen e sanksioneve përsa kohë që Koreja e Veriut nuk do të paraqesë një plan të hapur në çështjen e çarmatimit bërthamor.

Kjo situatë shkakton që qeveritë e Koreve të hezitojnë edhe në hedhjen e hapave më të thjeshtë të bashkëpunimit. Muajin e kaluar, plani për krijimin e një zyre ndërlidhëse për rritjen e komunikimit midis dy vendeve u shty për shkak se nuk u arrit marrëveshje në lidhje se kush do të drejtojë zyrën dhe kush do t’i përballojë shpenzimet.