SHBA-të mund të vazhdojnë stërvitjet ushtarake me Korenë e Jugut

“Aktualisht nuk kemi ndonjë plan të ndalimit të mëtejshëm të stërvitjeve ushtarake”, tha Mattis, duke u shprehur se dëshirojnë që në të ardhmen të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake SHBA-Koreja e Jugut

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se nuk kanë ndonjë plan për ndalimin e stërvitjeve ushtarake që do të realizohen mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mattis, në një konferencë për media në Pentagon dha mesazhin që do të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut.

“Aktualisht nuk kemi ndonjë plan të ndalimit të mëtejshëm të stërvitjeve ushtarake”, tha Mattis, duke u shprehur se dëshirojnë që në të ardhmen të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes qeverisë së Washingtonit dhe të Seulit.

Duke vënë në dukje se është ngadalësuar procesi diplomatik me Korenë e Veriut, Mattis tha se për vitin 2019 ende nuk kanë planifikuar saktësisht një stërvitje të përbashkët me Korenë e Jugut, por që për këtë do të vendosin për një kohë të shkurtër.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pas takimit me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në Singapor gjatë muajit qershor ishte shprehur se përderisa vazhdojnë negociatat me Korenë e Veriut do të ndalin stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut.

Duke rikujtuar se në Korenë e Jugut ndodhen 32 mijë ushtarë të SHBA-ve, Trump në lidhje me stërvitjet që po vazhdonin në këtë vend kishte theksuar se “Do t’i ndalim lojërat e luftës deri në momentin që shohim se negociatat nuk po shkojnë ashtu siç duhet. Por nga kjo do të kursejmë një sasi të madhe të parave”.