Kur po afrohet viti nga stuhia vdekjeprurëse dhe shkatërrimtare që goditi Porto Rikon, shtatorin e 2017-s, zyrtarët atje vijojnë të përditësojnë numrin e viktimave, që në fillimet e veta u fiksua në 64 të vdekur, e tashmë ka arritur në 2.975 të tillë.
Guvernatori i ishullit, territor amerikan, Ricardo Rossello pranoi gjetjet e një hetimi tejet të gjatë dhe të pavarur, që thuajse i 50-fishon të vdekurit.
Që prej asaj stuhie, Porto Riko ka hasur në vështirësi të mëdha për të riparuar infrastrukturën dhe rrjetin elektrik, ndaj i ka kërkuar Kongresit amerikan një shumë prej 139 miliardë dollarë si fonde rimëkëmbjeje.
“Sapo kam urdhëruar që të përditësohet shifra zyrtare e të vdekurve në 2.975”, tha guvernatori Rossello gjatë një konference për shtyp të së martës. “Megjithëse është një përllogaritje, ka baza shkencore për këtë”, raporton Top Channel.
Në një deklaratë të saj, Shtëpia e Bardhë tha se qeveria federale kishte mbështetur përpjekjet e guvernatorit për të “garantuar numërimin e plotë dhe transparencën mbi viktimat” e stuhisë së vitit të kaluar.
Presidenti Donald Trump është kritikuar për lavdet që i thuri reagimit të qeverisë federale për ishullin e shkretuar nga stuhia, në javët e para pas ngjarjes së shtatorit të vjetshëm. Kritikët e akuzuan atë se do të shfaqte më shumë shqetësim për rezidentët në Teksas dhe Florida, nëse do të goditeshin nga uraganet.