Prej disa javësh një pjesë e mirë e rrugëve të kryeqytetit i janë nënshtruar ndërhyrjeve nga ana e ndërmarrjeve të Bashkisë Tiranë, për të krijuar lehtësira për ata që lëvizin me biçikleta po ashtu edhe për këmbësorët,raporton Top Channel.
Një prej zonave që ka pësuar edhe transformimin më të madh është rrethrrotullimi i sheshit “Willson”, ku veç ndërhyrjeve në rrugë për të ndërtuar korsinë e dedikuar të biçikletave, është vendosur edhe sinjalistika e nevojshme vertikale dhe horizontale, ndërsa është bërë e mundur edhe ulja e trotuareve për kalimin e karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë që paralelisht po punohet edhe me projektin e rehabilitimit të Unazës së Mesme, ku gjithashtu po ndërtohet një korsi e dedikuar për biçikletat si dhe po bëhet e mundur ndërtimi i korsisë së dedikuar për mjetet e transportit publik dhe urgjencën aty ku është e mundur.