Emigrantët, Rama: Italia na priti, të gatshëm t’ia kthejmë favorin

“Neve na priti Italia dikur dhe tani jemi të gatshëm t’ia kthejmë favorin”. Shtypi italian i ka bërë jehonë të madhe vendimit të Shqipërisë për të pranuar një grup emigrantësh të anijes së bllokuar prej ditësh “Diciotti”.

“Neve na priti Italia dikur dhe tani jemi të gatshëm t’ia kthejmë favorin”. Shtypi italian i ka bërë jehonë të madhe vendimit të Shqipërisë për të pranuar një grup emigrantësh të anijes së bllokuar prej ditësh “Diciotti”,raporton Top Channel.

“Il Mattino” përcjell në faqen e tij “online” një intervistë të gjatë të kryeministrit shqiptar.

“Përpara spektaklit të skamjes dhe turpit, me qenie njerëzore të shndërruara në larva përpara syve të të gjithëve, ndërsa vendi ndoshta më mikpritës i Europes në këto 30 vitet e fundit është lënë i vetëm, të japësh një dorë ndihme është gjëja më e natyrshme që mund të bësh. Ka ardhur momenti të thuhet boll më! Duhet ta kishim bërë më përpara, por nuk deshëm të krijonim asnjë lloj keqkuptimi me Romën”.

Me këto fjalë nis intervista e Ramës, i cili shpjegon më pas arsyet përse vendosi të marrë 20 emigrantë të zbarkuar nga “Diciotti”.

“Kemi pasur komunikim të vazhdueshëm me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme italiane”, rrëfen ai.

“Nuk kishte ndonjë gjë për të diskutuar nga ana jonë. Emigrantët e sotëm eritreas janë të ngjashëm me ata tanët, që jo shumë vite më parë merrnin rrugën e shpresës drejt vendit tuaj. Italia na shpëtoi”, thotë Rama, duke shtuar më tej se me këtë veprim, Shqipëria nuk mund të zëvendësojë Europën, por atëherë kur ka mundësinë të ofrojë ndihmën e saj, nuk tërhiqet.

I së njëjtës linjë është shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati.

“Kemi të bëjmë me jetë njerëzish, qofshin këto eritreas apo europianë”, tha ministri i Jashtëm shqipar për BBC-në. “Kjo është një krizë masive dhe asnjë vend europian nuk e përballon dot i vetëm”.