“Algat helmuese” shkaktojnë gjendje të jashtëzakonshme në Florida

Invazioni i algave helmuese në Florida ka shkaktuar ngordhjen e peshqve dhe ka dëmtuar bizneset

 “Algat helmuese” kanë bërë që autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në disa rajone të Floridës në SHBA pasi kanë shkaktuar ngordhjen e peshqve dhe zbrazjen e plazheve dhe restoranteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guvernatori i Floridës Rick Scott tha se gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në rajonet që janë pushtuar nga algat.

Scott tha se kanë hapur një buxhet shtesë prej 100 mijë dollarësh për shkencëtarët që përpiqen t’i pastrojnë algat, ndërsa kanë ndarë fond prej 500 mijë dollarësh për komunitetet lokale dhe bizneset e dëmtuara si pasojë e largimit të turistëve nga rajoni.

Ai paralajmëroi mobilizimin e të gjitha resurseve të shtetit për shtatë rajonet e pushtuara nga algat, duke shtuar se do të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që bizneset të mos pësojnë dëme.

Invazioni i algave helmuese, i cili fillon kryesisht në muajin tetor, përfshin rripin bregdetar të Floridës prej 240 kilometrash nga jugu në veri.