Po shkonin në HEC e Komanit, makina me tre punëtorë bie në greminë

Po  shkonin si çdo ditë në punë, drejt hidrocentralit të Komanit, por  mëngjësi i së mërkurës (8 gusht)  për pak nuk u kthye në tragjedi për Klajdi Shehun, Ilir Shpendin dhe  Arment Lalollarin.

Po  shkonin si çdo ditë në punë, drejt hidrocentralit të Komanit, por  mëngjësi i së mërkurës (8 gusht)  për pak nuk u kthye në tragjedi për Klajdi Shehun, Ilir Shpendin dhe  Arment Lalollarin.

Tre punonjësit e hidrocentralit që vinin nga Tirana,  përfunduan në një humnerë me mjetin me të cilin po udhëtonin.

Pak kilometra pa mbërritur në vendin e punës, gjatë  hyrjes në një nga kthesat e shumta që ka kjo rrugë,  drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe për pasojë përfundoj disa metra  poshtë rrugës, ku nga rrokullisjet e shumta, ata morën plagë të forta  në kokë dhe trup. 

Tre të dëmtuarit për shkak të gjendjes së rëndë  shëndetësore u dërguan me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. 

Gjendja e tyre sipas mjekëve vlerësohet e rëndë,  pasi frakturat e shkaktuara në disa pjesë të trupit janë të shumta. 

 Grupi hetimor që mbërriti në vendngjarje nisi hetimet për shkaqet e  këtij aksidenti.

Kthesa 

 Ata rindërtuan skemën e plotë dhe  burimet i thanë Ora News, se dyshohet që mjeti kur ka hyrë në kthesë ka qënë duke lëvizur me shpejtësi dhe kjo ka ndikuar që të humbë  kontrollin.

“Nga veprimet e para dyshohet se  drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin për shkak të një kthese të fortë” informoi dhe policia e Shkodrës.

Gjithashtu rruga e amortizuar nuk ka lejuar manovrimet dhe  për pasojë ata kanë përfunduar në humnerë. Por një tjetër pistë është edhe ajo e ndonjë defekti që mund të ketë pësuar makina,  gjë që do të dalë në përfundim të ekspertizës. 

Rruga Shkoder – Koman në  vite ka shkaktuar aksidente të shumta, e shpesh me pasoja fatale për  jetën. Në 55 kilometrat e saj kjo rrugë në të  cilën nuk është ndërhyrë prej periudhës së komunizmit, është tejet e  amortizuar, me kthesa të rrezikshme që nuk kanë asnjë mbrojtëse anësore  dhe pa sinjalistike. 

Megjithëse çdo ditë në të kalojnë punonjësit e  hidrocentralit dhe banorë të zonës, e turistë të  shumtë, vemendja që ka patur shteti për këtë rrugë nuk ka nevojë për  shumë komente. 

Në 23 korrik të 2016-es, në këtë rrugë një 23 vjeçar  përfundoj në humnerë me mjetin e tij dhe mbeti i plagosur.

 Në 23 nëntor  2014, po një tjetër aksident në këtë rrugë i mori  jetën 3 shtetasve dhe 1 tjetër mbeti i plagosur. Pa përmendur me  dhjetra të tjerë të ndodhur ndër vite. Pyetja që lind natyrshëm, është  se edhe sa aksidente duhet të ndodhin në këtë rrugë që shteti të marrë  masa?

Burimi: Ora News