Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalın, tha se Turqia nuk është një vend që lehtësisht mund të heqish dorë, e as nuk është pa alternativë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Gjithkush duhet ta dijë. Qoftë për avionët luftarakë F-35 ose çështje të tjera. Turqia nuk është pa alternativa”, tha Kalın, duke iu përgjigjur kërcënimeve të SHBA-së për të imponuar sanksione ose për të ndaluar shitjen e armëve Turqisë.
“Përdorimi i gjuhës kërcënuese nga Shtetet e Bashkuara, duke u justifikuar në një çështje ligjore të vazhdueshme, është e papranueshme. Gjithkush duhet të respektojë procedurën ligjore në vazhdim për çështjen e pastorit Brunson”, u tha Kalın gazetarëve në kompleksin presidencial.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan pasi SHBA u kërcënua se do të vendosë sanksione ndaj Turqisë për shkak të pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili u arrestua në provincën e Izmirit në dhjetor të vitit 2016 për lidhje me organizatat terroriste.
Ai akuzohet për spiunazh për PKK-në, e njohur si organizatë terroriste në SHBA dhe Turqi, dhe organizatën terroriste FETO, e cila qëndron prapa tentativës për grusht shteti në korrik të vitit 2016.
Kongresi i SHBA gjithashtu është përpjekur të ndalë shitjet e avionëve të F-35, duke cituar arrestimet e shtetasve të SHBA në Turqi dhe blerjen e sistemeve raketore të mbrojtjes S-400 nga Rusia.
Kalın tha gjithashtu se Turqia nuk pret që tensionet e fundit të kenë një efekt negativ në udhërrëfyesin midis dy vendeve për qytetin verior sirian të Munbixhit.
“Plani Munbixh vazhdon të zbatohet ashtu siç është projektuar. Ka një kalendar dhe elemente të caktuara. Këto po bëhen hap pas hapi” shtoi ai.
Kalın tha se lufta e tyre ndaj kërcënimeve terroriste që vijnë nga Siria do të vazhdojë në mënyrë të vendosur.
Zëvendësi presidencial gjithashtu deklaroi se Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan më 3 gusht do të njoftojë planin e tij të veprimit 100 ditor, ndërsa plani strategjik për 2019-2023 do të përgaditet deri në nëntor.