Më shumë se katër milionë njerëz në shtetin verilindor Assam të Indisë përballen me frikën se do t’u merret shtetësia pasi emrat e tyre janë përjashtuar nga një listë që qeveria indiane e publikoi sot, raporton Anadolu Agency (AA).
Lista e Regjistrit Kombëtar të Qytetarëve (NCR) është unike për shtetin Assam. Ajo u publikua për herë të parë në vitin 1951, katër vjet pas pavarësisë nga sundimi britanik, për të dalluar qytetarët indianë nga emigrantët e paligjshëm nga Bangladeshi fqinj, i cili atëherë ishte pjesë e Pakistanit.
Në vitin 2015, qeveria filloi një proces të përditësimit të listës. Lista e re përfshin vetëm ata persona ose pasardhësit e tyre që kanë prova sa kanë hyrë në Indi deri në mesnatë të 24 marsit të vitit 1971, kur Bangladeshi u bë shtet i pavarur.
Drafti i parë i listës së publikuar sot përjashtoi katër milionë njerëz, njoftuan zyrtarët.
Shumica e njerëzve të përjashtuar nga lista janë muslimanë, duke shkaktuar frikë në mesin e komunitetit se janë duke u targetuar në mënyrë të padrejtë nga qeveria nacionaliste hinduse.
Për të parandaluar dhunën komunale, qeveria e shtetit ka shtuar masat e sigurisë.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të ruajnë paqen, duke thënë se çdo person do të ketë një mundësi për të hapur padi.
Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin e Assamit, Guwahati, kreu i Regjistrit Civil të Indisë, Sailesh, tha se procesi i paraqitjes së ankesave do të fillojë më 30 gusht dhe do të vazhdojë deri më 30 shtator.
Ndërkaq, Satyendra Garg, zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në konferencën për media, tha se askush nuk do të dërgohej në kampe arresti.
Kryeministri i Assamit, Sarbananda Sonowal, shkroi të dielën në Twitter se “Asnjë qytetari të vërtetë indian nuk do t’i merret e drejta e shtetësisë”.
“Kështu që askush nuk duhet të bëjë panik pas publikimit të draftit përfundimtar të NRC-së”, shtoi ai.
Parlamenti indian sot hasi në protestë nga disa parti opozitare. Këshilli i Shteteve (Raja Sabha) i parlamentit, duhej të ndërpritej dy herë pas protestës së zëshme nga partitë e opozitës në lidhje me çështjen.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Rajnath Singh në një deklaratë tha se dokumenti i sotëm “është vetëm draft dhe jo NRC përfundimtare”.
Fronti Demokratik i Bashkuar për Gjithë Indinë, parti politike që përfaqëson pakicat, veçanërisht muslimanët, është shprehur i tronditur nga zhvillimet.
“Për momentin, u bëjmë thirrje njerëzve të ruajnë paqen dhe harmoninë. Ne jemi qytetarë që respektojmë ligjin, por, gjithsesi, do t’i qasemi gjykatës”, tha për AA sekretari i përgjithshëm partisë, Aminul Islam.