Gjatë ditëve te fundit shtypi në Mal të Zi ka sjellë deklaratën e Presidentit të Shteteve te Bashkuara të Amerikës (ShBA) Donald Trump dhënë kanalit televiziv amerikan FOX NEWS dhe reagimet e shumta rreth kësaj deklarate nga zyrtarë të lartë të Malit të Zi, qeverisë, analistë, gazetarë të çështjeve politike, por dhe liderë botërorë. Kujtojmë që gjatë kësaj interviste Presidenti amerikan la të kuptohet “njerëzit shumë agresivë të Malit të Zi mund të bëhen shkak i Luftës së Tretë Botërore”
. Qeveria e Malit të Zi thotë se Mali i Zi së bashku me ushtarët amerikanë në Afganistan i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në kontinentin Evropian, por edhe në mbarë botën. Nga ana tjetër shefi i diplomacisë malazeze Srgjan Darmanoviq thotë se nuk kemi asnjë qëllim që të nisim Luftën e Tretë Botërore. Jemi shumë të vegjël për të bërë një gjë të tillë ka nënvizuar ai. Pas kësaj deklarate dhe jehonës së saj në media, shtëpi të shumta mediatike botërore kanë dërguar reporterët e tyre luftarakë në Mal të Zi, të cilët janë bindur fare në të kundërtën e deklaratës së Z. Trump, raporton TRT.
Ata kanë vizituar qytetet bregdetare duke sjellë intervista me turistë të vendeve të ndryshme dhe banorë autoktonë, të cilët kanë dëshmuar se Mali i Zi vazhdon të ecë rrugës së integrimeve evropiane dhe t’i kontribuojë paqes në rajon. Intervista e Presidentit të ShBA, Donal Trump erdhi menjëherë pas takimit që ai pati me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin në Helsinki. Dihet që Rusia nuk e ka mirëpritur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në vitin 2017-të, andaj dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të tensionuara.