Qeveria shqiptare do të kontraktojë kompani të huaja inxhinjerike me qëllim monitorimin në terren të kontratave koncesionare. Tenderi i parë pritet të zhvillohet për Rrugën e Arbrit si kontrata e parë me partneritet-publik-privat e dhënë nëpërmjet programit 1 miliard euro. Ministri i infrastrukturës Damian Gjiknuri pohoi se ky monitorim do të japë më shumë siguri për punimet. “Në të gjitha kontratat koncesionare ne do të kontraktojmë kompani të huaja inxhinjerike, në formën e konsulentit. Do të jenë kompani të njohura për tregun ndërkombëtar të kësaj fushe, të cilat do të certifikojnë volumin punimeve si dhe cilësinë e tyre. Që në momentin që nis kontrata dhe nis puna për zbatimin e saj, paralelisht kompania konsulente do të ndjek hap pas hapi ecurinë. Ne shumë shpejt do të hapim tenderin për të përzgjedhur konsulentin e parë për rrugën e Arbrit dhe këtë do të bëjmë për çdo projekt me PPP”, tha Gjiknuri.
Pa fonde, anulohet kontrata
Ndonëse shembulli i rrugës së Arbrit tregoi se kompania arriti të gjejë fondet e nevojshme për ndërtimin e rrugës, Gjiknuri thotë se cilitdo biznesi që merr përsipër projekt ët tilla madhore do ti anulohet kontrata nëse nuk siguron financimet e nevojshme. “I vetmi problem apo merak që duhet të kemi është çështja a do të jenë këto projekte të financueshme. Rruga e Arbrit tregoi se u gjet financimi në bankat e brendshme. Por në çdo rast në momentin që për një afat kohe të caktuar kompania nuk siguron financimin e nevojshëm ne do ti anulojmë kontratën. Por ana tjetër ne kemi vënë edhe garanci për kontratat. Nëse ato nuk zbatohen sipas kushteve të miratuara ne i mbajmë garancinë që arrin në miliona euro”, vijoi ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës. Ndërtimi i rrugëve nëpërmjet partneritetit-publik-privat është shoqëruar edhe debate lidhur me kostot e larta me të cilat po finalizohen projektet, raporton sot.
Kostot e larta
Por ministri e ka një shpjegim për këtë situatë. “Këto kosto janë reflektim i projekteve të detajuara nga institucionet publike siç është edhe Instituti i Ndërtimit ku certifikohen volumet të përkthyera edhe në çmime që i referohen manualeve fiskale të ndërtimit. Por nga ana tjetër çdo para që shpenzohet qoftë edhe nga buxheti i shteti ka interesa të përfshira. Ashtu sikundër ministria e financave del në tregun ndërkombëtar dhe merr borxh kundrejt një interesi të caktuar, ashtu edhe ne ndërtojmë rrugë që kanë interesin e parasë të shkrirë në koston e projektit”, vuri në dukje ministri Gjiknuri. Qeveria ka dhënë deri tani dy projekte për ndërtim rrugësh nëpërmjet programit 1 mld euro, rrugën e Arbrit dhe atë Thumanë- Kashar, kostoja e tyre arrin në 500 milion euro. Për ministrin kjo skemë e realizimit të më e mira e mundshme në kushtet ekonomike që ndodhet ekonomia shqiptare.