Ilir Meta strategji për të mbajtur peng Këshillin e Emërimeve në Drejtësi

Ilir Meta në gjurmët e opozitës, strategji për të mbajtur peng Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ja si po refuzohet shorti

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duket se po ecën në gjurmët e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit sa i takon situatës në sistemin e drejtësisë. PD e LSI janë bërë bashkë ditët e fundit duke bllokuar ligjin për magjistratët, por tashmë ngërçe është duke krijuar dhe kreu i shtetit. Organi kyç që mund të zgjidhë gjithë kaosin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Por ky organ po shkon drejt shkrirjes për shkak të vetingut dhe nuk po ndërmerret asnjë masë nga autoritetet kompetente. Ditën e mërkurë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra e prokurores Rovena Gashin, e cila ishte dhe anëtare në KED, si përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme. Me largimin e saj KED ka mbetur me 5 anëtarë, pasi më herë janë larguar edhe Besnik Imeraj, Altina Xhoxhaj dhe Gentian Trenova. Praktikisht KED tashmë ka rënë, pasi e vetmja mënyrë që të merret vendim është që të pestë anëtarët e mbetur të bien të gjithë dakord, gjë që është shumë e vështirë. Personi i vetëm që ka në dorë fatin e KED është Presidenti Ilir Meta. Kushtetuta në nenin 149/d e ka përcaktuar qartë se është kreu i shtetit ai që hedh shortin çdo vit për zgjedhjen e anëtarëve dhe nëse ai e refuzon kjo e drejtë i kalon Parlamentit. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik”, thuhet në Kushtetutë. Ndonëse aty flitet me data konkrete, kur ka vakanca si në rastin aktual, ndiqet e njëjta rrugë.

Lëvizjet e Metës

Kur KED ishte me 6 anëtarë, Gramoz Ruçi i është drejtuar me një letër Ilir Metës, ku kërkonte të hidhej shorti për KED. Por Meta nuk bëri asnjë lëvizje duke thënë se KED ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Por tani që ky organ ngeli me 5 persona, sërish kreu i shteti nuk ka ndërmarrë asnjë lëvizje, qoftë në hedhjen e shortit ose t’ia kalojë këtë të drejtë Kuvendit, siç bëri në dhjetor 2017. KED është organi i cili duhet që të zgjedhë kandidatët për Gjykatën Kushtetuese. Deri tani KED nuk ka vepruar pasi anëtarët e saj nuk kanë kaluar vetingu, raporton Sot.

Por nëse hidhet shorti, mund të ndodhë që pjesë e KED të bëhen emra që kanë marrë rikonfirmimin nga KPK dhe kjo do e zhbllokonte gjithë ngërçin. Por sinjalet janë se opozita dhe Presidenti po ndjekin të njëjtën linjë: sabotimin e reformës në drejtësi. PD-LSI ditët e fundit kanë shpërthyer në sulme të hapura ndaj reformës në drejtësi dhe ndaj ambasadorëve, ndërkohë që tashmë Meta po sfidon mazhorancën me shortin për KED, duke shtuar më tej vonesat.