Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dalë ngadalë po shkon drejt shkrirjes. Zgjedhjet vendore të 2019 do të jenë sfidë për të gjitha partitë kryesore në vend. PS do të testojë elektoratin nëse e ka apo jo pas vetes, ndërsa PD do të shohë nëse ka mbështetje për të rivalizuar qeverinë në zgjedhjet e 2021. Por sfida më e madhe do jetë për LSI dhe për PDIU, pasi këto dy parti do garojnë për mbijetesë. Të vetmet vende punësimi LSI i kanë mbetur bashkitë që ajo drejton dhe nëse i humbet në zgjedhjet parlamentare mund të pësojë disfatë. Sa i takon PDIU, momentalisht të tre deputetët që ka, e kanë braktisur siglën e partisë. Reme Lala kaloi me PS ndërsa dy të tjerët kanë dalë të pavarur. Por gazeta ka mësuar se në zgjedhjet vendore Idrizi do mbetet vetëm. PDIU ka sot 3 bashki dhe ka këshilltarë pothuajse në të gjitha bashkitë e vendit. Sipas informacioneve, disa prej kryebashkiakëve aktualë pritet që të garojnë në zgjedhjet e ardhshme nën siglën e PS, duke braktisur PDIU. Po ashtu do të ndodhë dhe me këshilltarët bashkiakë. Shumë prej tyre do dalin nga PDIU për të garuar nën siglën e socialistëve. Vjeshta pritet të sjellë lëvizjet e para, pasi PS do të zyrtarizojë dhe kandidatët. Në Asamblenë e PS Rama do të japë udhëzime që të fillojë organizmi dhe secila degë e PS duhet të propozojë emrat që do të garojnë në zgjedhjet vendore. Aty pritet të dalin dhe kryebashkiakët që do largohen nga Idrizi. Por kjo situatë tregon dhe gjendjen në të cilën ndodhet PDIU. Idrizi prej disa ditësh është shfaqur i alarmuar duke sulmuar qeverinë dhe vetë kryeministrin Edi Rama, sidomos sa i takon marrëdhënieve me Greqinë. Madje ai deklaroi se ishte pikërisht Greqia ajo që e la jashtë Parlamentit.
Rrudhja e drejtorive
Momentalisht Idriz, edhe pse nuk është pjesë e Parlamentit, përmes kryebashkiakëve dhe drejtorëve të tij kanë ende pushtet. Por nëse në zgjedhjet vendore nuk fiton asnjë bashki dhe PS nis reformën në administratë, atëherë PDIU do mbetet thatë. Edhe sulmet e tij ndaj shefit të ekzekutivit kanë të bëjnë pikërisht me këtë gjë, pasi sinjalet janë se Idrizi kërkon të mbetet pjesë e “tepsisë” së pushtetit. PDIU në rrethe ka ende shumë drejtorë në zyrat shtetërore dhe sinjalet janë se mund të ketë reformë rrënjësore në të gjithë sektorët. Zgjedhjet e 25 qershorit sollën një përplasje mes Ramës dhe Idrizit. Ky i fundit pasi PS erdhi në pushtet braktisi aleancën me PD dhe u bashkua me socialistët. Në këmbim mori disa drejtori dhe zv/ministra, edhe pse kërkonte një post ministror. Por kur PD hyri në çadër, Idrizi nisi të flirtonte me Metën dhe me Berishën, duke dalë hapur kundër PS. Socialistë në atë kohë nuk lëshonin pe për të negociuar me PD, edhe pse kjo e fundit po rrezikonte të mbetej jashtë zgjedhjeve. Por më 17 Maj, Fatmir Mediu dhe Agron Duka thirrën një tryezë diskutimi për të gjetur dialogun. Rama deklaroi se nuk do merret pjesë dhe kërkoi të njëjtën gjë nga LSI dhe nga PDIU. Por Petrit Vasili dhe Shpëtim Idriz e refuzuan dhe morën pjesë. Kjo solli dhe paktin Rama-Basha. Pasi kryeministri duke e ndjerë veten të tradhtuar në momentet e fundit mori pjesë në takim dhe bindi Bashën të futeshin në zgjedhje pa koalicione, duke u dhënë goditjen finale Idrizit dhe Metës./Sot