Xhezair Zaganjori konfirmohet në detyrë pavarësisht problemeve me pasurinë që i gjeti KPK

Lëkundet besimi i publikut shqiptar tek procesi i vetingut. Ditën e djeshme KPK vendosi që të rikonfirmojë në detyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Lëkundet besimi i publikut shqiptar tek procesi i vetingut. Ditën e djeshme KPK vendosi që të rikonfirmojë në detyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Por ajo që e bën të diskutueshëm këtë vendim është fakti se vetë komisioni i vetingut, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në datën 20 korrik renditi një sërë shkeljesh të Zaganjorit. Ai kishte probleme të shumta me pasurinë, ndërsa u deklarua nga trupa gjykuese se kishte kryer edhe evazion fiskal. Mirëpo pavarësisht këtyre gjetjeve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në favor të kreut të Gjykatës së Lartë. Në një kohë kur të gjithë prisnin që trupa gjykuese të shprehej dje se Zaganjori do të përjashtohej nga sistemi i drejtësisë për 15 vite, një gjë e tillë nuk ndodhi. “Trupa, pasi mori në shqyrtim dokumentacionin, kreu një hetim të thelluar administrativ dhe vendosi konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori”, u shpreh trupa gjykuese dje. Ky vendim befasues bën që Xhezair Zaganjori të vijojë të ushtrojë detyrën e tij si kryetar i Gjykatës së Lartë. Por teksa një vendim i tillë është një lajm i mirë për Zaganjorin, duhet thënë se qytetarët shqiptarë mund ta konsiderojnë si një diçka të keqe.

Lëkundja e vetingut

Për herë të parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori goditje dhe besueshmëria e qytetarëve tek ky institucion u lëkund. Deri më tani KPK ka zbuluar zullumet e shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe më pas ka vendosur t’i shkarkojë nga detyra, por nuk dihet arsyeja se pse me Xhezair Zaganjorin nuk u veprua po njësoj. Tanimë të gjithë sytë janë drejtuar tek Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Ata mund të ankimojnë vendimin e komisionit të vetingut, duke e çuar çështjen tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Kujtojmë që për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese ndërkombëtarët e ONM dolën kundër vendimit të KPK, duke kërkuar kështu shkarkimin e Bashkim Dedjes. Duke marrë shkas nga rasti “Dedje”, pritet që në të njëjtën mënyrë të veprohet edhe për Xhezair Zaganjorin.

Shkeljet e Zaganjorit

KPK gjatë seancës dëgjimore të 20 korrikut me kreun e Gjykatës së Lartë, bëri publike të gjitha gjetjet e saj gjatë hetimit administrativ për Zaganjorin. Trupa gjykuese u shpreh se Zaganjori nuk kishte burime të ligjshme pasurie si dhe kishte shmangur taksat në shtet ndonëse ILDKPI nuk kishte konstatuar probleme në raportin e saj.

Sipas relatores së çështjes, Pamela Qirko, gjyqtari Zaganjori ka në pronësi një apartament 293 m2 në bashkëpronësi me bashkëshorten, me vlerë 5.8 milionë që ka si burim shitjen e një apartamenti; një dyqan me vlerë 1.4 milionë lekë të blerë nga të ardhurat personale dhe të qirasë; zyrë me sipërfaqe 15 metra katrorë; bodrum 65 m2 me vlerë 800 mijë lekë; si dhe një apartament 81 m2 në lagjen 13, në plazhin e Durrësit, blerë në vitin 2006 për 32 mijë dollarë, raporton Sot.

Por krahas këtyre, gjyqtari Zaganjori posedon dhe një sërë llogarish bankare brenda dhe jashtë vendit. “Me qëllim vlerësimin e fakteve dhe të dhënave njoftojmë të dhënat e gjetura. Lidhur me apartamentit 293 m2 që subjekti ka deklaruar se është blerë 5.8 milionë nga ZVRP Tiranë është konfirmuar pasuria me vlerë 500 mijë leke. Të dhënat janë kontradiktore. Në deklaratën veting vlera e apartamentit është deklaruar 5 mln leke dhe në deklaratat e tjera 7 mln leke. Në përgjigje të pyetjeve subjekti ka deklaruar se ka shpenzuar vlerën e 9 mln lekëve. Subjekti ka deklarata kontradiktore. Ka shmangie të detyrimeve tatimore”, u shpreh relatorja. Por krahas këtyre kontradiktave, gjyqtari Zaganjori, sipas KPK, pati pasaktësi në deklarim dhe sa i takon pasurisë së bashkëshortes dhe shkollimit të fëmijëve.