Në Shqipëri shënohet këtë qershor 81-vjetori i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur me ligj 27 qershorin në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, në një interviste flet mbi gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, punën e fondacionit për çështjen çame dhe detyrimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Veliu tregon se origjina e tij është nga Çamëria dhe se është rritur duke dëgjuar se çfarë ka ndodhur në Çamëri.
“Unë jam nga të dy prindërit me origjinë nga Çamëria, madje im atë ka lindur në Çamëri dhe jam rritur që fëmijë me tregimet për atë çfarë ka ndodhur në Çamëri”, tregon ai.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, ka afro 5 vjet që është krijuar dhe sipas tij fokusi i punës së fondacionit ka qenë hedhja dritë mbi historinë e Çamërisë, mbi kulturën, identitetin dhe duke e bashkuar këtë me angazhim për çështjen çame.
Duke folur për gjenocidin ai tha se “Gjenocidi në Çamëri u finalizua në 1944-1945 me fillesat në 27 qershor 1944. Kjo është një kulmim i gjithë asaj politike për spastrim etnik, për të ua bërë jetën shqiptarëve të Çamërisë sa më të vështirë, e cila kishte startuar shumë vite më parë. Dhuna ka vazhduar edhe në forma të tjera, në mos lejimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Çamëri dhe në mos angazhimin e Shqiptarëve të Çamërisë në pushtetin lokal dhe qendror. Që e nisi këtë valë vrasjesh ishte masakra e Selanit në 1913. Forcat e ekstremit të djathtë greke të udhëhequra nga Napoleon Zerva filluan masakrën e tyre në qershor 1944. Këtu ishte pikënisja dhe fundi i asaj tragjedie”.
Veliu shprehet se kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë vazhdojnë të jenë të njëjtat kërkesa sot e kësaj dite, “kthim të çamëve” në shtëpitë e veta”.
“Ne absolutisht si çamë nuk kemi kërkuar ndryshim kufijsh, por ama kemi kërkuar të kthehemi në shtëpitë tona, me gjithë të drejtat që na takojnë, të drejtat e gjuhës, pronësisë, të identitetit, me çdo të drejtë që na takon. Është një kërkesë legjitime”, tha ai.
Veliu theksoi se Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për çështjen çame nuk zbatohet. “Ajo që më bën përshtypje është një lloj heshtjeje, heshtje e qeverisë shqiptare”, u shpreh ndër të tjera ai.
Duke theksuar se shteti shqiptar e ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, Veliu tha se “Komuniteti çam e ka shqetësim të madh që çështja çame nuk është pjesë e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Do të ishte në dinjitetin e shtetit shqiptar nëse do të kishte një angazhim më të madh ose atë të duhurin për çështjen çame. Është shumë e rëndësishme të ketë nisma për Çamërinë. Është detyrim i shtetit shqiptar të angazhohet dhe të trajtojë çështjen çame, ta bëjë pjesë të agjendës së bisedimeve me Greqinë. Kjo është ajo kërkesë që ne kemi”.
– Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të mijëra civilëve, por edhe me dëbimin, shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë myslimanë të Çamërisë, që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 1994 ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”./AgoraNews