Çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit me 242 persona në bord, dyshimet e ekspertëve

Një aksident tragjik ajror ka ndodhur këtë të enjte, pranë aeroportit të Ahmedabad, në Indi, ku një avion i kompanisë Air India u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar vdekjen e 242 personave që ndodheshin në bord.

Avioni Boeing 787-8 Dreamliner, me numër fluturimi AI171, ishte nisur drejt Londrës me 242 persona në bord, 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë dy pilotë. Mjeti fluturues ra mbi një konvikt mjekësh pranë zonës së aeroportit.

Sipas eksperëve të aviacionit mbetet ende mister motivi i rrëzimit të avionit vetëm pesë minuta pas nisjes së tij.

Moti ishte i mirë në momentin e ngritjes, duke përjashtuar kushtet atmosferike si shkaktar. Ekspertët dyshojnë për një përplasje me një tufë shpendësh, mund të ketë çuar në dështimin e motorëve të avionit.

Piloti kishte dhënë një sinjal emergjence “Mayday” pak çaste para rrëzimit, por fatkeqësisht nuk arriti të shmangte katastrofën.

Eksperti i aviacionit Marco Chan konfirmoi se nuk ka pasur indikacione të motit të keq. Ndërsa ish-piloti Saurabh Bhatnagar theksoi se përplasjet me shpendë janë të rrezikshme në momentet kritike të ngritjes dhe uljes, dhe mund të kenë dëmtuar njëkohësisht të dy motorët.

Avioni ishte prodhim i vitit 2014 me një  model tepër efikas, që nuk ka shfaqur asnjëherë probleme teknike, duke e bërë këtë aksident edhe më të pazakontë. Ky është rrëzimi i parë fatal i një Boeing 787 Dreamliner që nga fillimi i operimit të këtij modeli në vitin 2011, një ngjarje që përbën një tronditje të madhe për reputacionin e kompanisë Boeing, e cila tashmë ndodhet nën presion për shkak të incidenteve të tjera me modelin 737 MAX.

Hetimet janë në zhvillim nga autoritetet ajrore indiane dhe ekipet ndërkombëtare të ekspertizës së fluturimeve. Pritet shqyrtimi i kutive të zeza për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.