Rrëzohet avioni me 242 persona në bord, shpërthen në flakë

Një avion pasagjerësh i kompanisë Air India, me më shumë se 200 persona në bord, është rrëzuar të enjten pranë aeroportit në Ahmedabad, në perëndim të Indisë. Ngjarja ka ndodhur ndërsa avioni ishte në fazën e ngritjes, kanë bërë të ditur autoritetet lokale dhe zyrtarë të kompanisë ajrore.

Sipas Air India, avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick në Londër dhe ka rënë në një zonë civile afër aeroportit. Deri më tani, nuk është konfirmuar numri i viktimave apo gjendja e të mbijetuarve.

“Në këtë moment, po përcaktojmë detajet dhe do të ndajmë përditësime të mëtejshme,” thuhet në një njoftim të shkurtër të publikuar nga kompania në rrjetin social X.

Pamjet nga vendngjarja, të transmetuara nga mediat lokale, tregojnë flakë dhe re të mëdha tymi që ngrihen mbi zonën ku u rrëzua avioni. Në vendin e ngjarjes janë parë ekipe shpëtimi, ambulanca dhe persona që transportohen me barela.

Sipas agjencisë indiane të lajmeve ANI, në bord ndodheshin 244 persona bashkë me anëtarët e ekuipazhit.

Hetuesit kanë arritur në vendngjarje dhe, “kutitë e zeza” të avionit janë gjetur, çka pritet të ndihmojë në zbardhjen e shkaqeve të aksidentit ajror.