Nga Redi Shehu
Metafora mesianike e shpëtimtarit nga zullumqari i radhës është një këngë e vjetër e sprapsme e fushatave. Në këtë kuptim, zgjedhjet e radhës me 11 Maj, nuk qenë një moment historik, as edhe një etapë e re apo ndryshim i madh, thjesht ato qenë zgjedhjet e radhës në batakun e kontestimit dhe protestës së humbësit, qenë zgjedhjet politikisht korrekt nga vëzhgues që as i plas fare për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët me fjalë prej vazeline u munduan të investohen për stabilitetin nacional në kurriz të informalitetin elektoral.
Nuk mund të pretendojmë se pati ndryshim të madh dhe cilësor në një palë zgjedhje, ndërkohë që e gjithë politika dhe mekanizmat me të cilat ajo gjallon janë duke vepruar me të njëjtat forma të gabuara. Jeta partiake brënda partive politike, e cila përfaqëson bërthamën nga e cila merr formë demokracia e një vendi, vazhdon të jetë e sunduar nga kryetarë partish të cilët ose inskenojnë zgjedhje të brëndshme farsë, ose nuk bëjnë fare zgjedhje dhe shfaqen në opinionin publik si ikona shenjtorësh politikë prej guri, që ska gjë që i luan nga vendi. Nuk mund të pretetendohej të kishte ndryshim të madh dhe cilësor në proçeset elektorale, por edhe ne proçeset demokratike, nëse sovrani, pra populli, sipas narrativës së demokracisë, trajtohet si një masë pa shpirt e gatshme për t’u manipuluar përmes propagandës. As nuk mund të priteshin ndryshime kur gënjeshtra dhe fake news ngrihen në sistem si mjet kryesor politik, dhe pastaj prej saj kërkohet të bëhet ndryshimi i pritur.
Këto zgjedhje, përsëritën rutinën e vjetër tre dekadëshe të demokracisë tonë hibride ku zgjedhësit të investuar nga partit politike, çimentuan edhe më shumë pozicionet e tyre partiake duke ngushtuar hapësirën e njerëzve të cilët duan që gjërat të ndryshojnë me kohë të reja dhe aktorë të rinj politikë. Mjafton të shohësh partitë e reja se me sa mund dhe vota mezi arriten të fitonin pak deputetë. Nuk mund të pritej një tronditje e madhe politike e cila dhunshëm të nxjerr nga status-quo-ja drejt një konceptimi të ri të mënyrave dhe formave, aktorëve dhe mekanizmave me të cilat konstruktohet politika jonë. Nuk do kishte një popull tjetër përveç atij shqiptar i cili do të shkonte në votime duke bartur në kurriz të gjitha simptomat e sëmundjeve të tija të shtresëzuara gjatë demokracisë dhe të rënduara akoma më tepër në kaosin tonë që ne guxojmë ta quajmë politikë e përditshme. Nuk do të kishte dëshirë për të përmirësuar gjërat dhe për t’u ngritur si popull, sepse përsëri bursa e shitblerjes së votës tashmë ka kohë që ka filluar pa nisur koha e zgjedhjeve. Nuk do të kishte ndryshim të madh sepse partitë garuan për të caktuar takime me krerë bandash kriminale, si dhe banditë dhe kriminelë qe dalin brej burgjeve rastësisht dy muaj para zgjedhjeve.
Tragjikomedia e zgjedhjeve u përsëritet përpikshëm njësoj si më parë sepse partitë rreshtojnë në skalionet e luftës elektorale pothuaj të njëjtat personazhe të tre dekadave të fundit. Vështirë se mund të ketë ndryshime epokale, ngjarje të reja me personazhe të vjetra, të cilët janë autorët kryesorë të totalitarizmit demokratik të ndëtuar me aq kujdes prej tyre. Vështirë se mundet që këto zgjedhje të prodhonin përmirësim të situatës ekonomike në kohën që partitë vazhdojnë të fokusojnë thelbin e ndryshimit tek shifrat dhe jo tek njerëzit të cilët do të prodhojnë këto shifra. Problemi i politikës tonë nuk është çështje aritmetike, apo joshjeje programore, sepse janë bërë joshje pa fund gjatë demokracisë tonë hibride, problemi më i madh është tek sistemi që do të ngrihet, tek ai i cili do të zbatojë programet dhe do t’i transformojë ato në produkte të mirëqënies publike.
Sondazhet treguan për një të kuptuar kaotik të politikës tonë nga zgjedhësit. Nga njëra anë ata shprehnin pëlqimin për liderë politikë të cilët kalojnë edhe parashikimet më të mira, nga ana tjetër, shprehnin në maxhorancë se duan ta braktisin këtë vend. Nga njëra anë ata shprehnin mbështetje për partitë kryesore në shifra të habitshme, nga ana tjetër, ishin të pakënaqur me mënyrën se si bëhet politika tek ne. Kjo, është edhe një arsye tjetër se përse këto zgjedhje nuk përfaqësuan ndonjë gjë të veçantë, për sa kohë është i njëjti elektorat që ka të njëjtin të kuptuar të gabuar të gjërave.
Prandaj, kjo “rehatija” jonë në anormalitet, përbën në fakt normalitetin tonë, i cili po shndërrohet në standart, nga i cili po gjykohen të gjitha proçeset e tjera. Nëse vazhdohet kështu, do vijë koha kur e drejta, normalja dhe standarti do të kthehen në subjekte të vepres penale të gatshme për t’u përsekutuar në turrën e inkuzicionit të informalitetit.