Mosmarrëveshjet e mëhershme mes dy grupeve të armatosura ishin shkaku i përleshjes së armatosur në Prishtinë, mbrëmjen e 1 shtatorit, që la të vrarë një person, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në rrugën “Gazmend Zajmi” dhe gjatë të shtënave u plagosën edhe pesë persona.
Prokuroria Themelore tha se pesë të dyshuarit, të cilët janë plagosur, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim dhe “për momentin janë jashtë rrezikut për jetë”.
Autoritetet gjyqësore e kanë klasifikuar këtë rast si vepër penale “vrasje të rëndë” në bashkëpunim dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore tha po ashtu se përveç pesë të plagosurve, autoritetet po punojnë në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në të shtënat në Prishtinë.
Sipas mediave të Kosovës, mësohet se në këtë përplasje janë përfshirë dy familje Sekiraqët dhe Capat të cilët kanë pasur konflikte edhe më herët, ku këtyre të fundit u ishte plagosur një anëtar disa muaj më parë.
I vrarë mësohet se ka mbetur Premtim Gashi nga grupi i Capave. Po ashtu bëhet e ditur se ai ishte anëtar me shumë ndikim brenda grupit dhe s’kishte shumë kohë që ishte liruar nga burgu.
Nga familja Sekiraqa, mbeti i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, 47-vjeçar.
Bashkë me Sekiraqën, nga arma e zjarrit u plagosën edhe Korab Gashi (vëllai i Premtimit), Robert Llumnica (29-vjeçar), Fatos Abazi (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademi (21-vjeçar).
Në gjëndje më të rëndë shëndetësore janë Llumnica dhe Ademi.