Bllokohen 11 hotele të paregjistruara në Jug

Tatimet shtojnë kontrollet në jug të vendit

Tatimet kanë bllokuar 11 hotele në jug në vendit, shumica e të cilëve të paregjistruara në organet tatimore. Po ashtu edhe 6 bare e restorante janë të pezulluar për 30 ditë pasi janë konstatuar me moslëshim të kuponit tatimor për herë të dytë. Strukturat e hetimit tatimor kanë kallëzuar penalisht edhe dy biznese në qarkun e Vlorës, pasi dyshohet se kanë fshehur të ardhurat dhe më pas kanë prishur shenjat dalluese të kasës fiskale.

Paligjshmëria e subjekteve që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik është e lartë, për këtë arsye inspektorët e tatimeve kanë intensifikuar kontrollet.

Krahasuar me një vit më parë numri i kuponëve që po lëshohen nga bizneset në zonat e plazhit është dyfishuar, ndërsa raportohet edhe një rritje me 40% e xhiros që sipërmarrësit po deklarojnë.

Në total për një muaj tatimet kanë ushtruar kontrolle në 494 biznese, ku gjysma e tyre rezultuan me shkelje. Vlera e gjobave të vendosura në zonat turistike në jug të vendit është 84 mijë dollarë.

Burimi: Tv Klan