Mbyllet zyrtarisht votimi për “Lokalet 2023”, në disa qendra procesi vijon për shkak të radhës

Prej orës 07:00 të mëngjesit deri në 19:00, qytetarët i janë drejtuar kutive të votimit për të hedhur votën për 61 kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë. Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në të gjithë vendin ishte i qetë pa incidente serioze. Pjesëmarrja e votuesve është e ulët dhe kjo nisi që në mëngjes pasi procesi nisi me një problem serioz në funksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik. E gjitha solli ikje të njerëzve që ishin në qendrat e votimit për të votuar. Problemi u zgjidh me urdhër të KQZ që njoftoi se procesi duhet të vijojë manualisht, që do të thotë se zgjedhësit do të identifikohen me anë të listave të printuara.

KQZ njoftoi më herët se në më shumë se 500 qendra votimi ka probleme me pajisjen e identifikimit, ndërkohë që pjesë tjetër, pra në rreth 4700 qendra votimi janë plotësisht funksionale. Problem ishte edhe mungesa e komisionerëve kryesisht të Partisë Demokratike.

Thirrja e politikanëve për pjesëmarrjen
Duke qenë se pjesëmarrja në këto zgjedhje deri tani rezulton më e ulët se në ato të vitit 2021, politikanët kanë dalë me thirrje që të gjithë qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit. PS fajëson KQZ që nuk arriti t’i jepte zgjidhje të menjëhershme pajisjeve të identifikimit biometrik PEI dhe i bën apel qytetarëve që të shkojnë për të votuar. Liderët politik në Shqipëri, nga presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kandidatët për kryebashkiakë i janë drejtuar qytetarëve që të marrin pjesë në këtë proces. Edhe vetë Sali Berisha i ftoi qytetarët që të votojnë duke i thënë se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces e që qytetarët të votojnë si njerëz të lirë. Nga ana tjetër Partia e Lirisë thotë se është ditë e madhe për të ardhmen tonë. Edhe ambasadorët e huaj, Yuri Kim dhe Christiane Hohmann kanë bërë thirrje që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre me votë duke thënë se autoritetet duhet të zbatojnë ligjet.

Problemi me votimin familjar dhe raste të publikimit të votës
Në këto zgjedhje nuk mungoi problemi i votimit familjar dhe rasteve të publikimit të votës. Sipas PD, administratorët e njësive vendore të Bashkisë po firmosin vërtetime për shumë qytetarët që të lejojnë votimin familjar. Po ashtu, PD ka publikuar raste të publikimit të votës nga vetë qytetarët duke thënë se tregon presionin e PS që ata të zbulojnë hapur se kë zgjedhin të marrë drejtimin në 4 vitet e ardhshme.

Persona të paautorizuar pranë qendrave të votimit
Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se në 7 qendra votimi, në Tiranë dhe Durrës janë konstatuar disa persona të paautorizuar që pengonin zhvillimin normal të procesit të votimit. Nuk kanë munguar akuzat mes palëve politike se persona të paautorizuar janë pranë qendrave të votimit.

Për këto raste, të gjithë drejtuesit e lartë të Bashkë Fitojmë, përfshirë edhe vetë Sali Berishën kanë bërë thirrje që policia të ndërhyjë se persona të paautorizuar janë pranë qendrave të votimit dhe kjo i ka intimiduar qytetarët. Kjo ka bërë që Ilirjan Celibashi të bëjë thirrje të fortë e të thojë që të gjithë të largohen se do të mbajnë përgjegjësi dhe policia të marrë masa. Po ashtu, pati akuza nga opozita se edhe policia është shumë afër disa qendrave të votimit, ndryshe nga çfarë lejon ligji.

Incidentet e raportuara deri tani
Një incident është shënuar në Zvezdë, Maliq ku deputeti Edmond Spaho pretendon se është dhunuar nga një grup të rinjsh që mbështesin socialistët. Po ashtu një incident është shënuar në Durrës në një qendër votimi të Spitallës, ku kandidati për këshilltar bashkiak i PS-së, Hekuran Markola është dhunuar nga tre persona, mes tyre edhe kreu i Rithemelimit në Durrës, Dritan Burgija së bashku me Pjetër Pjetrin dhe Ndrec Pjetrin. Një tjetër është shënuar në Roskovec, ku socialistët denoncojnë se kandidati i Bashkë-Fitojmë Erdit Hazizaj ka goditur me grushte 2 persona, gjë të cilën e përgënjeshtron poshtë Luan Baçi.