Rikonstruktohet salla e regjistrimit të mjeteve në Tiranë

Kostoja e këtij investimi shkon rreth 12 milionë lekë, e përballuar tërësisht nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme.

Drejtoria rajonale Tiranë e cila përballon rreth 40% të shërbimit të qytetarëve në rang kombëtar ka përfunduar me sukses rikonstruksionin e sallës së regjistrimit të mjeteve.

Kostoja e këtij investimi shkon rreth 12 milionë lekë, e përballuar tërësisht nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, së bashku me kreun e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Isaraj panë nga afër investimet e kryera pranë kësaj drejtorie.

Ministri Gjiknuri theksoi se tashmë kemi një shërbim shumë modern, shumë bashkëkohor që e gjejmë në çdo vend europian.

“Mbi të gjitha gjithçka është transparente. Do të thotë që çdo lloj problemi që mund të haset në moment nuk duhet të presësh disa ditë për të bërë një ankesë, por përkundrazi shkohet direkt tek eprori direkt në mënyrë që të gjendet zgjidhja”, – u shpreh ai.
Më tej ministri vuri në dukje se sistemi është i kompjuterizuar, shumë shërbime kanë filluar të jepen online.

“Kjo reformë që ka filluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Transporteve, në zyrat e Tiranës dhe në disa qarqe të tjera gradualisht do të shtrohet në të gjitha vendin”, – bëri të ditur ai.

Ministri po ashtu theksoi se edhe gjatë takimit me qytetarë që ndodheshin pranë zyrave për të marrë shërbimet që ju nevojiten u konfrirmua përmirësimi i ndjeshëm i shërbimeve.

“Nuk shohin asnjë problem, janë evituar radhët, janë evituar abuzimet që fillojnë me radhën. Zgjidhja që u dha së fundmi dhe me çështjen e patentave një gjë e mbartur është një përgjigje në kohë e një situate të mbartur dhe që filloi të kthehet në një shqetësim për qytetarët”, – tha ai.

Drejtori i DPSHTRR Isaraj theksoi se nuk është investuar vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë dhe po investohet në Elbasan dhe në Fier. Sipas Isarajt nëpërmjet këtij investimi kemi një përmirësim të dukshëm në kohë, duke e reduktuar kohën e shërbimit në rreth 20 minuta dhe dyfishimin e numrit të shërbimeve ditore ndaj qytetarëve, raporton ATA.

Ky rikonstruksion ka rritur shërbimin në kohë dhe cilësi ndaj qytetarëve duke realizuar zgjerimin e hapësirës të sallës së regjistrimit të mjeteve, shtim të sporteleve që ofrojnë shërbim ndaj qytetarit në masën 50 %, krijimin për herë të parë të sallës së pritjes me kushte moderne për qytetarët, krijim të sportelit të informacionit për të sqaruar dhe informuar qytetarët si dhe sistemimin e ambienteve të jashtme duke krijuar mundësi parkimi për mjetet që i nënshtrohen kontrollit fizik apo komisionit të ndryshimeve konstruktive duke shmangur kaosin etj.