Maqedoni e Veriut, mbahet aktivitet për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Türkiye

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut u mbajt aktiviteti “Kermes i Solidaritetit me Türkiye-n” me qëllim për të mbledhur donacione për të prekurit nga tërmetet me qendër në Kahramanmaraş të Türkiye-s, raporton Anadolu.

Të rinjtë përfshirë nxënës e studentë, në stendat e vendosura para xhamisë së Murat Pashës në Shkup ofruan për shitje ushqime të ndryshme të përgatitura nga familjet e tyre në shtëpi me qëllim për të mbledhur para për të prekurit nga tërmeti.

Qytetarët treguan interes ndaj këtij aktiviteti të organizuar për mbledhjen e donacioneve për Türkiye-n. Disa qytetarë dhuruan vlera monetare duke mos marrë nga ushqimet e ekspozuara nga të rinjtë.

Ndërsa fëmijët të cilët kryenin shitjet, vendosën në stendat e tyre pankartën me mbishkrimin “Na dhemb zemra, ta shuajmë së bashku zjarrin”.

Hüsrev Emin, kreu i shoqatës së kulturës, artit dhe arsimit “Köprü” me qendër në Shkup i cili është organizatori i aktivitetit që do mbahet gjatë periudhës 14-16 shkurt, në një deklaratë për gazetarët tha se të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga ky aktivitet do të dërgohen për të prekurit nga tërmeti.

Duke rikujtuar se shumë institucione shtetërore dhe organizata të shoqërisë civile në vend kanë dhënë ndihma për Türkiye-n, Emin tha se “Nxënësit në shoqatën tonë shesin këtu ushqimet që kanë përgatitur në shtëpi. Synojnë që të ardhurat t’i dërgojnë tek personat e prekur nga tërmeti. Aktiviteti do të jetë i hapur për 3 ditë mes orës 11:00-16:00. Ndërsa në ditën e fundit të ardhurat e mbledhura do të dërgohen përmes llogarisë bankare që Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSİTEB) ka hapur për të prekurit nga tërmeti”.