Krerët e qeverive të gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, sot në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit në Gjermani nënshkruan tre marrëveshje për lëvizjen e lirë në kuadër të Planit të Veprimit për një treg të përbashkët rajonal, përkatësisht për lirinë e lëvizjes me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekë, stomatologë dhe arkitektë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Edhe pse dukej pothuajse e pamundur, pas dy vitesh të vështira dhe të komplikuara, më në fund u nënshkruan tre marrëveshjet kryesore për lëvizshmërinë të koordinuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Sot ato arrijnë tek ata për të cilët ishte qëllimi, pra qytetarët tanë. Ngjashëm me ndikimin e gjerë të marrëveshjes rajonale për uljen e çmimeve të roaming-ut dhe korridoreve të gjelbra, ndikimi i tyre në terren do të jetë i drejtpërdrejtë dhe konkret, gjë që kontribuon në ndërtimin e njëtrajtshëm të urave që janë ende të nevojshme në rajonin tonë si dhe urave me Bashkimin Evropian”, tha në Samit Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu.
Kancelari gjerman Olaf Scholz falënderoi Këshillin për Bashkëpunim Rajonal për punën e shkëlqyer të bërë në dy vitet e fundit për lehtësimin e përmbylljes së tre marrëveshjeve për mobilitetin dhe bëri thirrje për përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha se ky është një hap i madh drejt integrimit në tregun e përbashkët rajonal, sepse njerëzve u jepet mundësia të zgjerojnë përvojat e tyre dhe t’i japin më të mirën rajonit.
Në konkluzionet e kryesuesit, pjesëmarrësit e Procesit të Berlinit konfirmuan rolin kyç të këtij procesi si shtytës i bashkëpunimit rajonal që përshpejton procesin e integrimit me BE-së dhe vlerësuan përpjekjet e bëra nga Ballkani Perëndimor në zbatimin e një tregu të përbashkët rajonal si dhe rolin e rëndësishëm koordinues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe të CEFTA-s në negociatat e suksesshme për përmbylljen e marrëveshjes për lëvizjen e lirë brenda tregut të përbashkët rajonal.
“Duke shpresuar për një proces të shpejtë ratifikimi, ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin dhe menaxhimin e marrëveshjeve në mënyrë që përfitimet e parashikuara të arrijnë sa më shpejt që të jetë e mundur tek ata për të cilët janë menduar. Me këtë momentum dhe inkurajim në mendje, është koha për të ndjekur shembullin pionier të vendeve anëtare të BE-së që i janë bashkuar nismës së Korridoreve të Gjelbra dhe se ulja e çmimeve të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të bëhet një shembull i mirë”, tha Bregu duke shtuar se:
“Ne presim edhe rezultate të tjera konkrete në Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë në dhjetor. Në këto kohë të vështira na duhen këto, por dhe masa të tjera të shumta integruese në fushën e energjisë, rezistencës kibernetike, dezinformimit etj. Si një mekanizëm gjithëpërfshirës rajonal, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është i gatshëm të kontribuojë në zbatimin e procesit mes samiteve”, përfundoi Bregu.
Duke konfirmuar se kriza energjetike dhe tranzicioni drejt energjisë së rinovueshme mund të trajtohen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal, pjesëmarrësit në Samit ranë dakord që Evropa duhet të mendojë për furnizimin me energji dhe sigurinë energjetike dhe si të sigurojë energji të përballueshme dhe të besueshme dhe të luftojë ndryshimet klimatike, por gjithashtu të punojë edhe për uljen e ndotjes së mjedisit.
Për këtë qëllim, liderët e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor miratuan Deklaratën e Përbashkët për Sigurinë e Energjisë dhe Tranzicionin e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit konfirmuan përkushtimin e rajonit ndaj Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, një tjetër program i koordinuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, me synimin për të siguruar neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.
Pjesëmarrësit në Samit theksuan dëshirën për vazhdimin e Procesit të Berlinit për të shfrytëzuar potencialin e plotë të bashkëpunimit rajonal të përmirësuar dhe gjithëpërfshirës dhe ranë dakord që Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit në vitin 2023 të mbahet në Shqipëri.