Një tjetër “spiun” në Shqipëri? Ja çfarë u zbulua mbi çekun që zbriti me parashutë nga Dajti në repartin ushtarak

Historitë me turistë të huaj që dyshohen për spiunazh po kthehen sa në qesharake, aq dhe shqetësuese për autoritetet ligjzbatuese.

Pak ditë më parë perimetri i repartit ushtarak 6640 që shërben dhe si agjencia e sistemeve të ndërlidhjes dhe informacionit të forcave të armatosura, është cenuar nga një shtetas çek.

Ai fluturoi me një parashutë mbi repartin ushtarak, duke alarmuar stafin e qendrës së ndërlidhjes në Tiranë, në zonën e njohur si “rrapi i treshit”.

Çeku u ul thuajse në brendësi të infrastrukturës ushtarake dhe më pas u ndalua edhe nga policia që mbërriti me urgjencë në vendngjarje.

Rasti u vlerësua dhe nga anti-terrori ndërsa shtetasi çek pasi u mor në pyetje, rezultoi se ishte një turist që ushtronte sporte ekstreme.

Ai kishte fluturuar nga Mali i Dajtit me parashutë pa ditur se do të zbriste pranë një baze ushtarake shqiptare ndërsa nga kontrolli dhe verifikimet nuk i është gjetur asgjë e kundërligjshme ndaj është lënë i lirë, raporton Euronews Albania.

Pas sulmit të ushtarëve në uzinën e Gramshit nga dy shtetas rus dhe një ukrainas të dyshuar si spiunë, Forcat e Armatosura kane rritur vigjilencën.

1 ditë pas ngjarjes së Gramshit u ndaluan dhe disa shtetas çekë në tunelet e Poliçanit, që gjithashtu rezultuan turistë.