Rama: Bord i përbashkët për çmimet e produkteve të shportës

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ngritjen e një bordi të përbashkët për çmimet e produkteve të shportës.

Gjatë një takimi me bizneset furnizuese të ushqimeve, kreu i qeverisë nënvizoi se kush nuk respekton çmimet e vendosura nga bordi do t’i sekuestrohet i gjithë malli.

“Për të mos pasur hedhje faji tek njeri-tjetri do futem dhe ne në këtë mes e do krijojmë një bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës. Ky bord i përbashkët do përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të shumicës dhe pakicës. Çmimet e ushqimeve bazë do vendosen aty dhe askush nuk do tolerohet. Kush do vendosë çmime të tjera, do humbasë prodhimin, do ia konfiskojmë. Jo me arbitraritet, por me ligj”, tha Rama.

Më herët është ngritur edhe Bordi i  Transparencës për Tregtimin e Karburanteve. Një ditë më parë ky bord vendosi që çmimi i benzinës do të jetë 206 lekë/litri, kurse për gazin 93 lekë/litri.

Këto çmime do të jenë në fuqi deri më 21 mars.