Dëmet që Perëndimi synon t’i shkaktojë ekonomisë ruse përmes sanksioneve

Vendet perëndimore po vendosin sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.

Masat në fjalë synojnë të gjymtojnë ekonominë ruse dhe të ndëshkojnë qeverinë e vendit për shkak të aksioneve ushtarake.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatë të tjerë ranë dakord pak ditë më parë që të heqin bankat ruse nga sistemi SËIFT, që mundëson komunikimin dhe transfertat e shpejta ndërkufitare.

Lëvizja synon ta izolojë Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e saj për të vepruar globalisht.

Ajo do të vonojë pagesat që Moska merr për eksportin e naftës dhe gazit, edhe pse vendi mund të përdorë sisteme të tjera, si ai kinez.

Sidoqoftë, ndalimi do të prekë edhe kompanitë që i detyrohen para’ Rusisë dhe të shkaktojnë probleme me furnizimin me energji për disa vende.

Gjithashtu, liderët perëndimorë kanë vendosur të ngrijnë asetet e bankës qendrore ruse për të kufizuar aksesin e Kremlinit tek rezervat e saj që arrijnë në 630 miliardë dollarë.

Në koordinim me partnerët e saj, edhe qeveria në Mbretërinë e Bashkuar u ka ndaluar qytetarëve dhe bizneseve britanike të bëjnë transaksione me bankën qendrore ruse dhe Ministrinë e Financave.

Goditja e bankës qendrore të një vendi të grupimit G20 është e paprecedent dhe synon të fusë Rusinë në recesionin më të thellë të mundshëm, duke futur në kaos edhe bankat.

Pasi valuta e saj, rubla, ra me 30 për qind kundrejt dollarit amerikan, Moska ka dyfishuar normat e saj të interesit, në përpjekje për të penguar rënien.

Gjithashtu, përveç dëbimit nga SËIFT dhe ndëshkimit të bankës qendrore, edhe bankave të tjera ruse u janë ngrirë asetet dhe janë përjashtuar nga sistemi financiar britanik. Kjo i ndalon ato të kenë akses tek stërlina dhe të kryejnë pagesa përmes valutës së Mbretërisë së Bashkuar.

Nga ana tjetër, masat e Bashkimit Evropian vënë në shënjestër 70 për qind të tregut bankar rus dhe kompanitë kryesore shtetërore, përfshirë ato të mbrojtjes.

Gjithashtu, vendet e Perëndimit kanë njoftuar kufizimin e produkteve që mund të dërgohen në Rusi, të cilat përfshijnë objektet e përdorura si për qëllime civile edhe ushtarake, si ato të teknologjisë së lartë, lëndë kimike, apo lazer.

BE synon t’ia bëjë të pamundur Rusisë ngritjen e rafinerive të naftës, me një ndalim të eksportit ndaj materialeve të caktuara. Gjithashtu, Unioni ka ndaluar shitjen e pajisjeve ajrore për linjat ruse të fluturimit, në përpjekje për të dëmtuar ekonominë dhe lidhjet e saj.

Por sanksioneve nuk do t’u shpëtojnë as oligarkët dhe njerëzit e afërt të presidentit Putin, i cili bashkë me ministrin e Jashtëm Lavrov është gjithashtu i sanksionuar.