Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Europë në raport me mesataren e BE, por nga ana tjetër niveli i çmimeve në vendin tonë është në nivelet më të larta Rajonale pasi i afrohen më shumë mesatares së BE-së për vitin 2020.
Ndërsa në disa artikuj si komunikimi dhe ushqimet niveli i çmimit është i krahasueshëm me Bashkimin Europian madje edhe më i lartë.
Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri ishte sa 58 për qind e mesatares së BE-së me 2020. Maqedonia fqinjë e kishte këtë tregues 50%, Mali i Zi 57%, Bosnja 55%, Rumania 38%. Serbia i kishte nivelin e çmimeve sa 58% e mesatares së BE-së, i njëjti nivel sa me Shqipërinë.
Por në Shqipëri çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Europës. Eurostat përllogariti se më 2020 çmimet e artikujve ushqimore në Shqipëri ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu niveli më i lartë në Rajon. Kjo ecuri vërtetohet edhe me konsumin e brendshëm kur 42 për qind e shpenzimeve të përgjithshme mujore të shportës së mallrave shkojnë për blerjen e ushqimeve, niveli ma i lartë në Rajon (në shtetet e tjera arrin maksimumi ne 35% në Kosovë) dhe BE (ku vetëm 13% e shpenzimeve totale shkojnë për ushqime). Gjithashtu Shqipëria është e shtrenjta në Rajon edhe për veshjet. Çmimet e tyre i afrohen mesatares së BE-së me 96.2 % më 2020.
Në shërbimet e transportit dhe të komunikimit Shqipëria është më e shtrenjta. Tarifat e komunikimit janë më të larta se mesatarja e BE-së (108%). Ndër më të lirat janë çmimet e hoteleve dhe restoranteve (45.8% e mesatares së BE) duke lënë pas vetëm Turqinë dhe Maqedoninë që i kanë më të lira.
/Monitor