Katër viktima dhe 50 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Nga të infektuarit, 90.3% (119 mijë persona) janë shëruar, 7.9% (10,322 persona) mbeten të prekur nga virusi ndërsa 1.8% (2,420 persona) nuk ia kanë dalë mbanë.

Katër pacientë me COVID-19 humbën jetën ndërsa 50 persona të tjerë u diagnostikuan si të infektuar gjatë 24 orëve të fundit. Paralelisht mbi 1 mijë persona u deklaruan të shëruar duke vijuar prirjen lehtësuese të bilancit të pandemisë në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi pasditen e së martës se katër viktimat ishin të moshave 64-78 vjeç me origjinë nga Tirana (3) dhe Shkodra (1). Në spitalet e dedikuara për COVID-19 autoritetet thonë se janë 96 pacientë të shtruar – 8 prej të cilëve në terapi intensive, 5 të intubuar.

Situata e pandemisë në Shqipëri është lehtësuar ndjeshëm javët e fundit. Kjo faktohet nga ulja e të prekurve dhe të sëmurëve në spitale – tashmë më pak se 1% e rasteve aktive.

Prej datës 1 maj janë raportuar më pak se 100 të infektuar në ditë, rreth dhjetë herë më pak se periudha e vështirë që kaloi Shqipëria në periudhën janar-shkurt – më 9 shkurt u arrit piku me 1,239 raste.

Ngjashëm pozitiviteti në radhët e atyre që testohen për COVID-19 ka rënë nga mesatarja prej rreth 22% që ishte muajt e shkuar në rreth 2-3%. Në 24 orët e fundit ministria tha se ishin kryer 2,956 testime, prej së cilave u diagnostikuan pozitivë 50 persona – pozitiviteti 1.7%.

Prej 9 marsit 2020, kur u diagnostikuan rastet e para me COVID-19 në Shqipëri autoritetet shëndetësore – publike dhe private – kanë kryer 663,228 teste prej së cilave janë diagnostikuar 131,803 raste – pozitiviteti 19.8%.

Nga të infektuarit, 90.3% (119 mijë persona) janë shëruar, 7.9% (10,322 persona) mbeten të prekur nga virusi ndërsa 1.8% (2,420 persona) nuk ia kanë dalë mbanë.

Qarku i Tiranës mbetet ai me numrin më të lartë të rasteve aktive – 82% e totalit, 8,545 raste.