83 deputetë votojnë për Presidentin e ri, nis numërimi i votave, Bajram Begaj drejt konfirmimit si President i Republikës

Ka nisur seanca plenare për zgjedhjet e Presidentit të ri, ku kandidat është Bajram Begaj, i propozuar ditën e djeshme nga 37 deputetë të Partisë Socialiste.

18:53

Nis procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e Presidentit të ri.

18:52

Është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Deputetët kanë votuar në lidhje me zgjedhjen e kandidatit Bajram Begaj në postin e Presidentit të ri të vendit. 83 deputetë kanë marrë pjesë në votim. Tani pritet të nisë procesi i numërimit.

18:23

Nis procesi i votimit për presidentin e ri në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët po i drejtohen kutisë së votimit, për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Ndërkohë, Sali Berisha dhe deputetët e PD janë larguar nga salla duke mos marrë pjesë në votim.

18:22

Sali Berisha në fjalën për gazetarët tha se në Parlamentin e Shqipërisë po kryhet një dhunim i shëmtuar i Kushtetutës, një akt antikushtetues. Ai u shpreh se votohet në shkelje flagrante të Kushtetutës, për President Republike njeriu që kalon nga karrigia e shefit te Shtabit në karrigen e Kreut të Shtetit duke shkelur hapur nenin 167 të kushtetutës, sipas të cilit, ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet, dhe as zgjidhet në organe apo pushtete të tjera veç detyrave të ushtrisë.

“Kandidati që votohet sot, nis udhën e tij duke shkelmuar me dy këmbët kushtetutën pasi kandidon për president si shef i shtabit të përgjithshëm i ushtrisë shqiptare.

Pretendimi se dha dorëheqjen ka 0 vlerë sepse për ushtaraku jo dorëheqja, por miratimi dhe largimi i tij nga detyra, është rruga e çliron nga detyra”, u shpreh ai.

18:19

Kryetari i Partisë Deokratike Sali Berisha, është larguar nga salla e Kuvendit. Ai po mban fjalën për gazetarët në ambientin jashtë Kuvendit.

18:17

Kryetari i PD Sali Berisha ka kërkuar për herë të dytë fjalën , gjë që është mohuar nga Kryeparlamentarja Nikolla, e cila tha se një gjë e tillë nuk është e mundur në një seancë të tillë.

18:08

Seanca ka nisur me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila ka lexuar raportin e vlerësimit të bërë nga ky komision mbi figurën e Begajt, ku tha se nga verifikimet ka rezultuar se Bajram Begaj plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore për t’u zgjedhur President i Republikës.