65 mijë familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, u shpërndanë 21 milionë euro

Më shumë se 65 mijë familje janë sot në skemën e ndihmës ekonomike duke u trajtuar me fonde nga buxheti i shtetit. Ministria e Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë raportoi se ky grup u trajtua me të paktën 21 milionë euro ndërkohë që fondi deri në fund të vitit pritet të jetë më i lartë duke qenë se pagesat çelen muaj pas muaji. “Planifikimi për NE për vitin 2019 është 4,65 miliard lekë, janë çelur muajt Janar-Gusht 2019 3 miliard lekw lekë ndërkohë realizimi është në masën 2,7 miliard lekë ose 89%, fonde këto që mbulojnë pagesat e 65,143 familjeve dhe 1,784 numri i individëve (të dhëna statistikore për muajt Maj Qershor 2019) të vlerësuara sipas vendimeve të marra nga Drejtoritë Rajonale të SHSSH, në regjistrin elektronik” thuhet në raportimin e ministrisë.

Po kështu në të njëjtin raport ministria ka dhënë detaje edhe fondet PAK apo Shërbimin Social Shtetëror në total.

Kështu shpenzimet korente për Shërbimin Social Shtetëror dhe 42 institucionet e varësisë së tij janë planifikuar për të gjithë vitin 2019 në vlerën 856,583,979, ndërkohë që janë realizuar për 8 mujorin 2019 në vlerën 539,048,478 lekë, pra, në një masë rreth 81%.

“Këto fonde të shpenzuara i kanë shërbyer rreth 1,100 përfituesve të qendrave të përkujdesit social dhe institucioneve të tjera të varësisë të SHSSH. Fondet e PAK, akorduar për tu çelur gjatë vitit 2019, janë 15,55 miliard lekë, janë çelur fondet për muajt Janar-Gusht 2019 11,2 miliard lekë ndërkohë realizimi është në masën  10,9 miliard lekë ose 97%, fonde këto që mbulojnë pagesat e 71,096 persona me PAK, 19,695 kujdestar dhe 74,484 invalid pune (të dhëna statistikore për muajt Maj Qershor 2019)” vlerëson ministria.

Raportimi është bërë në kuadër të programit periodik që kanë institucionet për të dhënë detaje mbi ecurinë e punës së tyre. Ndihma ekonomike dhe programet e tjera sociale janë pjesë e raportimit për përkujdesit social që sipas ministrisë ka tre objektiva që janë sigurimi, reduktimi dhe rritja. Realizimi i shpenzimeve për 8 mujorin e 2019 për këtë program përbën 39.62% të totalit të shpenzimeve të kësaj ministrie. /Monitor