55% e moshës mbi 65 vjeç nuk kanë ngrohje të përshtatshme në shtëpi

Shumica e atyre që kanë moshën 65 vjeç ose më sipër dhe jetojnë të vetëm nuk arrijnë dot të përballojnë ngrohje të përshtatshme në shtëpi për shkak të kushteve ekonomike.

Një raport i publikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për varfërinë energjetike merr në analizë një sërë vendesh ku ndër të tjera edhe Shqipërinë nga ku rezulton se një grup jo i vogël individësh janë të prekur nga ky aspekt.

“Përqindja e familjeve që nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë të përshtatshme bie kur të gjithë familjarët merren në konsideratë. Shifra tregon se pjesa më e lartë e familjeve që nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë të përshtatshme janë ato me një person të rritur 65 vjeç ose më shumë dhe ku rezulton se 55% e familjeve me këtë profil nuk janë në gjendje ta mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrën e duhur. Në të njëjtën kohë, 37% e të gjitha familjeve nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre të ngrohtë në mënyrë duhur” thuhet në raportin e Sekretariatit.

Studimi ka analizuar të dhënat mbi pamundësinë për të mbajtur ngrohtë një familje me të ardhura nën 60% të të ardhurave mesatare të ekuivalizuara dhe kap familjet më të prekura. Shifrat tregojnë se familjet me femra beqare përballen me vështirësitë më të mëdha për të mbajtur shtëpitë e tyre të ngrohta ku 71% e familjeve femra beqare në vitin 2019 nuk ishin në gjendje të mbanin shtëpitë e ngrohta. Në mënyrë të ngjashme, megjithëse me vlera pak më të ulëta vërehen situate edhe kur kemi një të rritur me një fëmijë në ngarkim ose siç u nënvizua me një të moshuar.

“Këto rezultate tregojnë në finale se ndoshta familjet me prind të vetëm, pensionistët e vetëm dhe familjet me një person të vetëm përballen me vështirësitë më të mëdha në mbajtjen e shtëpive të tyre të ngrohta. Në përgjithësi, 54% e familjeve me të ardhura më poshtë 60% të të ardhurave mesatare të ekuivalizuara kishin vështirësi në mbajtjen e shtëpive të tyre të ngrohta në vitin 2019” thuhet në studim.

Dokumenti analizon edhe familjet që përballen me çatitë apo dritaret e dëmtuara ku një pjesë jo e vogël e familjeve të profilit që nuk kishin ngrohjen e përshtatshme binin edhe në këtë kategori.

Nga të dhënat e përpunuara raporti nënvizon se 37 për qind e familjeve shqiptare bëjnë pjesë në atë që quhet varfëri energjetike duke mos pasur mundësi të kenë ngrohje dhe kushte optimale në shtëpitë e tyre. Kjo llogaritet në mbi 272 mijë familje. Duke qenë se të dhënat zyrtare mungojnë nga ana e Sekretariatit është nënvizuar nevoja që Instituti i Statistikave të ketë një matje edhe për këtë aspekt./N.Maho